Efekti i Ligës së Kampionëve tek Inter këtë sezon nuk ndjehet vetëm në fushën e lojës, ku skuadra po demonstron një nivel më të lartë, por edhe në arkën financiare. Skuadra zikaltër përpos fitimeve që Uefa shpërndan në fund të sezon në bazë të rezultateve që skuadrat arrijnë, po fiton shumë edhe nga stadiumi “San Siro”.
Do të jenë 73.500 tifozë të pranishëm në “Giuseppe Meazza” për ndeshjen e kësaj mbrëmje mes Inter dhe Barcelonës, e vlefshme për raundin e katërt të Uefa Champions League. Ky numër tifozësh për Inter përkthehet në 5.8 milionë euro fitime nga shitja e biletave. Nuk është një numër i zakonshëm, por shifra më e lartë e përfituar në Itali nga një ndeshje futbolli. Kjo shifër që ka arkëtuar klubi zikaltër, është më shumë se ajo që ka fituar Roma vitin e shkuar në përballjen gjysmë finale të Ligës së Kampionëve përballë Barcelonës.
Inter deri më tani është klubi italian që ka fituar më shumë nga shitja e biletave. 23 milionë euro nga tetë ndeshje të organizuara në “San Siro”. 14 milionë janë përfituar vetëm nga tre ndeshje, me Milan, Totenham dhe kjo e kësaj të marte me Barcelonën. Tifozët e Inter janë konsideruar gjithmonë, si ndër më fanatikët në Itali dhe klubi zikaltër këtë gjë po e shfrytëzon më së miri, duke i shndërruar ata në një minierë të “vërtetë ari”. Në “San Siro” në momentin kur do të fillojë ndeshja do jenë tifozë nga 27 vende të ndryshme. Rreth 500 tifozë të zikaltërve do të jenë nga Shqipëria, të cilët janë organizuar dhe pritet t’ju bashkohen ultrasve të tjerë interist në mbështetje të skuadrës përballë Barcelonës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




