Rrugëtimi për stadiumin e ri të Inter dhe Milan nuk ndalet. Dy shoqëritë kanë zbuluar projektet e fundit për stadiumin e ri, fryt i dialogut të muajve të fundit me administratën lokale, që kishte vendosur kushte të ndryshme, mes të cilave rifunksionalizimin e Meazza-s. Në këtë këndvështrim, projektet e reja vërtiten pikërisht rreth ruajtjes pjesërisht të San Siros aktual, që do të transformohet në një qendër për kohën e lirë me aktivitete komerciale, sportive e kulturale.

“Milan e Inter kanë prezantuar në Komunën e Milanos një dokument paraprak dhe projektin e fizibilitetit lidhur me krijimin në zonën e San Siros të një stadiumi të ri me standardet më të larta ndërkombëtare dhe të një zone moderne e inovative për sportin dhe kohën e lirë – lexohet në komunikatën e përbashkët të dy klubeve milaneze – Dy propozimet e paraqitura, fryt i një dialogu konstant dhe të frytshëm me administratën, janë realizuar në përputhje me 16 kushtet e diktuara, në nëntor 2019, nga Këshilli Bashkiak. Projektet e reja, të zhvilluara nga studio e arkitekturës Populous e Manica/Sportium, parashikojnë një stadium të ri, modern dhe me standardet më të larta dhe ruajtjen e elementëve të impiantit aktual Giuseppe Meazza në kontekstin e një zone të re të dedikuar sportit e argëtimit të shfrytëzueshëm 365 ditë në vit, me sipërfaqe të gjelbërta për 106,000 m2 (d.m.th. dyfishin e 56,000 m2 aktual).

Do të jetë një ‘qendër’ e dedikuar për aktivitete sportive, rekreative dhe kulturore, të vendosura si në natyrë ashtu edhe brenda, me pista vrapimi, rrugë për biçikleta, palestër, park skateboardi, fushë mini-futbolli, muze sportiv: shumica e shërbimeve sportive do të jenë në dispozicion falas në shërbim të milanezëve dhe qytetarëve të lagjeve fqinje. Milani dhe Interi besojnë se është thelbësore, veçanërisht në këtë kohë, të jenë në gjendje të krijojnë një projekt me vlerë mbi një miliardë euro në Milano, një punë e përsosmërisë ndërkombëtare që pritet të gjenerojë mijëra vende pune dhe përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për rindërtimin e qytetit dhe sistemin e futbollit italian”.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




