Gazeta Si – Në Samitin virtual për Demokracinë, nismë personale e presidentit amerikan Xho Bajden, presidentja Vjosa Osmani ftoi në fjalën e saj disa shtete pjesëmarrëse që nuk e kanë njohur Kosovën, ta njohin pavarësinë e saj.
“Dua ta shfrytëzoj këtë rast që t’u bëj thirrje shteteve miqësore nëpër botë të qëndrojnë me Kosovën. Për ato, të cilat nuk e kanë njohur shtetësinë dhe institucionet demokratike të Kosovës, u bëj thirrje t’i bashkohen shumicës së shteteve të botës e ta bëjnë këtë”, – tha Osmani.
Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashmte dhe Diasporës, 117 vende të botës e kanë njohur atë.
Sakaq, Osmani falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përkrahjen dhe kontributin në Kosovë dhe tha që vendi po bën dhe do të bëjë “punë të palodhshme për ta ruajtur demokracinë”.
“Ju ftoj të gjithë të qëndroni me ne, Kosovën, e ne të vazhdojmë të jemi aleat i besueshëm dhe kampion i demokracisë”, – tha presidentja. Osmani shtoi se Kosova gjatë vitit të kaluar ka bërë progres të jashtëzakonshëm në avancimin e demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe luftimin e korrupsionit.
Kosova është duke zbatuar Strategjinë Kombëtare për Sundimin e Ligjit, dhe sipas presidents, “krahas reformave të pakompromis dhe me ritme rekord për ta garantuar një qeverisje llogaridhënëse, të barabartë dhe efektive në të gjitha institucionet publike”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




