Politike

Samiti i zymtësisë! Çfarë pritet nga Londra?

Në 2014, kur mori udhë me nismën e Angela Merkel i ashtuquajturi “Proces i Berlinit”, as që mendohej se Britania e Madhe do të linte Bashkimin Europian. Tani, me parimin “ne po dalim, por ju hyni”, të martën në Londër do të zhvillohet samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor me udhëheqësit e gjashtë vendeve pjesë e këtij procesi, që inkurajon reformat shtetndërtuese ekonomike dhe politike për të kapur standardet minimale të unionit.

Ministri i Jashtëm Britanik, Boris Johnson

Paradoksi i madh është se ky samit do të organizohet nga Ministria e Jashtme britanike, në krye të së cilës qëndron një emër i linjës pro shkëputjes së Londrës nga Brukseli, Boris Johnson. Pak muaj pasi referendumit të 2016, Johnson ka dalë me një deklaratë mbështetëse për perspektivën europiane të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Kosovës, Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi. Pra, njeriu që luftoi aq fort për t’i rikthyer Britanisë “sovranitetin”, në këtë samit do të këshillojë vendet e Ballkanit që të heqin dorë prej “sovranitetit” të tyre.

Megjithatë, duke iu rikthyer Procesit të Berlinit, deri më tani është vendosur një Zyrë Rajonale e Bashkëpunimit Rinor, që synon shkrirjen e akujve dhe paragjykimeve mes popujve përmes programeve dhe agjendave të përbashkëta, ndërsa është ecur përpara në bisedimet për krijimin e Zonës Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, ku tregtia, shërbimet dhe punonjësit do të lëviznin nga njëri shtet në tjetrin pa pengesa.

Nga Ballkani Perëndimor, përfshirë Shqipërinë synohet që të tërhiqen më shumë investime të huaja, por katër vite nga nisja e këtij Procesi, kritikët thonë se është bërë pak progress dhe ajo që është arritur është vetëm një foto e përbashkët në fund të çdo takimi.

Vetë Procesi i Berlinit përfshin pesë shtete të fuqishme të BE-së, Gjermaninë, Francën, Italinë, Austrinë dhe Britaninë e Madhe. Udhëheqësit e këtyre vendeve zotohen për t’u takuar çdo verë me gjashtë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të nxitur perspektivën europiane të rajonit.

Por, nëse entuziazmi i procesit të nisur në 2014 u venit disi me rezultatin e Brexit në 2016, tani rrezikon që të shuhet fare. Tek gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Maqedonisë që është sot me një qeveri liberale, gjërat nuk kanë ndryshuar dhe ruhet ende zelli për Bashkimin Europian.

E njëjta gjë nuk mund të thuhet me pesë vendet anëtare të BE-së, nismëtare të këtij procesi. Angela Merkel është e vetmja që ka mbetur prej 2014. Britanikët votuan Brexit dhe diskutimet e samitit, sipas analistëve do të mundohen t’i kanalizojnë tek fusha e sigurisë, pasi Londra mbetet ende një mbështetëse e flaktë e NATO-s.

Interesimi dhe ndihma në fusha të tjera nuk mungon, por është shumë modeste. Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe njoftoi se Londra do të japë 10 milionë paund si ndihmë që do të shkojë për të promovuar të rinjtë e talentuar në fushën e teknologjisë dhe 1 milion të tjera për adresimin e plagëve të së shkuarës, përfshirë gjetjen dhe identifikimin e viktimave të luftërave të viteve ’90.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron

Në Francë, Emmanuel Macron nuk kundërshton integrimin e Ballkanit Perëndimor, por shfaqet më neutral duke kërkuar që unioni të përqendrohet fillimisht tek telashet e brendshme dhe më pas të mendojë për zgjerimin.

Më enigmatik mbetet qëndrimi i Italisë. Në Romë qeveria është një koalicion i pazakontë populistësh majtas e djathtas dhe politika e jashtme dhe ajo e zgjerimit, të paktën për momentin nuk ka ndryshuar, por ky qëndrim nuk mund të parashikohet në afat të gjatë.

Austria ruan ende petkun e mbështetëses së zjarrtë për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, megjithatë qeveria e re e Sebastian Kurz në koalicion me të djathtët ekstremistë ka si prioritet refugjatët dhe bllokimin e korridoreve ballkanike të hyrjes së tyre në BE.

Pra, në gjithë këtë panoramë të zymtë parashikimet që në këtë samit të arrihet progres i qenësishëm janë në nivelin më të ulët të mundshëm dhe e vetmja gjë e sigurtë duket se do të jetë sërish fotoja e përbashkët në fund të takimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë