Analize

Samiti i Sofjes, zhgënjim politik dhe “bum” ekonomik

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor u mblodhën në një samit historik në Sofje, me shpresën se do të merrnin dritën jeshile për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Aderimi për Shqipërinë dhe pesë vendet e ish-Jugosllavisë është një nga pikat më të nxehta në axhendën e Komisionit Evropian, por siç tregoi edhe deklarata e përbashkët e samitit, disa vendeve mund t’u takojë të presin më shumë sesa ishte parashikuar. Shqetësimet kryesore të udhëheqësve të BE-së ishin krimi i organizuar, korrupsioni, autoritarizmi dhe mosmarrëveshjet entike mes shteteve ballkanike.

Presidenti francez Emmanuel Macron mbajti një qendrim tejet skeptik mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian për të përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse samiti synonte forcimin e lidhjeve midis rajonit dhe BE.

Komentet e Macron ishin një zhgënjim i madh sidomos për Shqipërinë dhe Maqedoninë, të cilat shpresojnë për dritën e gjelbër nga udhëheqësit e BE-së për të filluar bisedimet për anëtarësimin në union.

"Ajo që kemi parë gjatë 15 viteve të fundit është një rrugë që ka dobësuar Europën sa herë që kemi menduar ta zgjerojmë. Unë nuk mendojn se u bëjme nder vendeve kandidate apo unionit, duke pasur një mekanizëm që në njëfarë mënyre nuk ka më rregulla dhe vazhdon të lëvizë papushim drejt zgjerimit më të madh- tha Macron para gazetarëve- Unë jam në favor të ankorimit të Ballkanit në Evropë dhe të ecjes drejt Evropës. Por mendoj se ne duhet të shohim çdo zgjerim të ri me shumë kujdes dhe ashpërsi. Nuk jam në favor të zgjerimit para se të kemi të gjithë sigurinë e nevojshme dhe para se të bëjmë një reformë reale në  mënyrë që zgjerimi të jetë në të mirë të Bashkimit Evropian".

Vërejtjet e tij të enjten kanë qenë edhe më të ashpra sesa komentet që ai bëri në Parlamentin Europian muajin e kaluar.

“Duhet të kemi një dialog të përforcuar dhe strategjik me vendet e Ballkanit, të ndjekim reformat që janë ndërmarrë dhe t’i inkurajojmë pa u treguar hipokrit," u shpreh Macron.

Rama dhe Juncker gjate samitit

Jo vetëm Macron, por edhe anëtarët e tjerë të BE-së u shfaqën skepetikë për të deklaruar se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, do të mund të bashkohen një ditë me bllokun.

Serbia dhe Mali i Zi tashmë janë në bisedime për anëtarësimin dhe Komisioni ka sugjeruar se ato të mund të hyjnë në BE deri në vitin 2025, një objektiv i parë me skepticizëm të konsiderueshëm nga disa zyrtarë në Bruksel dhe qeveritë e BE.

Madje edhe udhëheqësit maqedonas dhe grekë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, të cilët bënë përparime thelbësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes vendeve të tyre ishin të kujdesshëm për të shtruar rrugën e negociatave.

"Ne kemi identifikuar një opsion që mund të jetë i pranueshëm për të dyja palët, por duhet të konsultohemi me faktorët e tjerë politik në vendet tona, me presidentët dhe me liderët e tjerë politik", paralajmëroi Zaev në një konferencë shtypi.

Sa i përket ngërçit tjetër të rëndësishëm që po bllokon rrugët e dy anëtarëve të ardhshëm të BE-së, dialogu i zvarritur i Serbisë dhe Kosovës, nga dy krerët e shteteve erdhën mesazhe mjaft konfuze.

Gjatë "fotografisë familjare", Hashim Taci dhe Aleksandër Vuçiq u panë afër njëri tjetrit, ndërsa më vonë shtrënguan duart kur nënshkruan një memorandum mirëkuptimi me BE nën shikimin miratues të kryeministrit bullgar, Bojko Borisov.

Por në deklaratën për mediat, Vuçiq tha se BE-ja nuk duhet të priste që Serbia të jepte gjithçka pa marrë asgjë dhe duke shtuar se Beogradi kishte bërë të gjitha përpjekjet për të arritur qëllimet e Marrëveshjes së Brukselit, por ishte i pakënaqur me përpjekjet e bëra nga ana e Kosovës.

Ndërsa pala evropiane ripohoi vendosmërinë e saj "për të forcuar dhe intensifikuar angazhimin e saj në të gjitha nivelet për të mbështetur transformimin politik, ekonomik dhe shoqëror të rajonit" në Deklaratën e Samitit të Sofjes, fokusi për anëtarësimin duket se kishte “humbur rrugën”.

Fjalët "integrim" dhe "zgjerim" mungonin në dokumentin përfundimtar, të nënshkruar nga 28 krerët e BE dhe të miratuar nga gjashtë partnerët e tyre ballkanikë. Në vend të kësaj, u theksuan strategjitë e sigurisë, ekonomisë digjitale dhe investimeve.

Presidenti i Këshillit të BE Donald Tusk u përpoq të kapërcejë këtë boshllëk, duke thënë se nuk shihte asnjë të ardhme për Ballkanin Perëndimor, përveç Evropës.

Dokumenti tre faqësh përqendrohej tek "angazhimi i përbashkët ndaj vlerave evropiane. Ai premtonte bashkëpunim më të mirë në fushën e anti-terrorizmit dhe kontrollit kufitar, dyfishon financimin e Erasmusit dhe zgjeron Kornizën e Investimeve të Ballkanit Perëndimor, duke nisur një sërë projektesh. Ato përfshijnë "Autostradën e Paqes" ndërmjet Nishit në Serbi dhe Prishtinës në Kosovë dhe Autostradës “Blue” përgjatë bregut të Adriatikut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë