Analize

Samiti i Londrës, si samit sigurie

Majin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe sipas sondazheve të deritanishme parashikohet një rritje e populizmit në këtë institucion të Bashkimit Europian. Në dijeni të kësaj, asnjë prej udhëheqësve të BE-së sot nuk flet hapur e qartë përë një zgjerim të unionit.

Nga ky parim e kjo frikë nuk mund të shpëtonte as samiti i Londrës. Udhëheqësit e BE-së u mblodhën në kryeqytetin britanik të kapluar nga kriza qeveritare e brendshme pas dy dorëheqjeve të njëpasnjëshme, një e sekretarit për Brexit, David Davis dhe tjetra e ministrit të Jashtëm, Boris Johnson.

Dorëheqjet ishin formë proteste ndaj kryeministres Theresa May për planin e saj të shkëputjes nga Brukseli. Me mendjen tek ky proces, Theresa May u mundua që të organizojë një samit të suksesshëm për Ballkanin Perëndimor, por e dinte se në të nuk do të arrihej asgjë politikisht.

Takimi nisi me entuziazëm të shuar që në fillim dhe në fjalën e hapjes Kryeministrja britanike tha se pavarësisht se Londra po largohej nga BE, ajo nuk do të hiqte dorë nga përgjegjësia që ka në Ballkanin Perëndimor. Zotimin e shoqëroi me premtime financiare. Tha se për vitet 2020 dhe 2021 Britania synon të dyfishojë fondet për të gjitha vendet e rajonit.

May përmendi këtu projektet për reformimin e drejtësisë dhe administratës publike në vende e Ballkanit Perëndimor, por në fund gjuhën e çoi atje ku dhemb dhëmbi.

“Do të punojmë ngushtë me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për pengimin e emigracionit illegal, radikalizmin dhe trafikun e drogërave, armëve dhe qënieve njerëzore”, tha ajo.

Kryeministrja britanike tha gjithashtu se vendi i saj do të dyfishojë numrin e personelit që asiston autoritetet vendase në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës me synimin që të parandalojë që në origjinë bandat që veprojnë në Britani.

Gjatë për sigurinë foli edhe Angela Merkel. “Është në interest ë Gjermanisë dhe të gjithë BE-së një Ballkan Perëndimor i sigurtë”, tha ajo.

BE kërëkon nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që të ndihmojnë në sigurimin e kufijve të BE-së në kuadër të Frontex-it, po ashtu si në luftën kundër terrorizmit dhe kriminalitetit të organizuar me ndihmën e Europolit.

Për zgjerimin u fol pak, ose aspak dhe kryetema mbeti siguria nga fillimi deri në fund. DW e interpreton këtë si frikë e udhëheqësve të BE-së nga reagimi i qytetarëve në vendet e tyre. Me temën e sigurisë, kjo qasje bëhet më e lehtë, madje mirëpritet, por me koston e demonizimit të Ballkanit Perëndimor.

Zona Ekonomike Rajonale, për të cilën palët ranë dakort në Samitin e Triestes në 2017 mbetet instrumenti kryesor për zhvillimin social-ekonomik të rajonit. Prej saj pritet rritja e interesit të investitorëve të huaj dhe nxitja e tregtisë që krijojnë vende të reja pune.

Por, në këtë samit plani i veprimit i miratuar një vit më parë nuk u analizua. Palët u mjaftuan me faktin që ishin bërë përparime dhe këtë e dëshmonte rritja e tregtisë rajonale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë