Politike

Samiti i dhjetorit i liderëve të BE-së për Ballkanin, në Tiranë ose në Shkup

Samiti i dhjetorit i liderëve të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor mund të organizohet në Shqipëri ose në Maqedoninë e Veriut. Ky është opsioni i hedhur në Bruksel që po shqyrtohet, por që ende nuk ka një vendim përfundimtar.

Lajmi për këtë është dhënë nga Radio Televizioni i Serbisë që u referohet burimeve zyrtare nga Brukseli. Një akti i tillë shihet si një mesazh dhe sinjal i ri, i fortë të përkushtimit të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, kjo, sipas burimeve diplomatike shihet dhe si një mesazh për vendet e rajonit që të përfitojnë nga mjedisi politik i krijuar rishtazi në Evropë, në mënyrë që të përmirësohet procesi i anëtarësimit dhe zgjidhjes së çështjeve dhe problemeve të hapura në rajon e brishtë të Ballkanit.

Edhe pse konsultimet janë ende në vazhdim, qarqet diplomatike evropiane, sipas RTS-së, vlerësojnë se Serbia nuk ka shanse ta presë këtë takim në nivelin më të lartë, para së gjithash për shkak të mospërputhjes së Beogradit me politikën e jashtme të BE-së ndaj luftës në Ukrainë.

Ndaj po synohet që takimi të bëhet në dy shtetet tjera, si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut, që kanë avancuar në procesin e integrimit evropian, ku më 19 korrik i janë hapur zyrtarisht negociatat  dhe kanë nisur procesin screening.

Në Bruksel vlerësojnë se lufta në Ukrainë ka forcuar ndërgjegjësimin në Evropë për rëndësinë e politikës së zgjerimit për stabilitetin e kontinentit, gjë që dëshmohet edhe nga gatishmëria e treguar për të bërë përparim të shpejtë në bisedimet me Ukrainën dhe vendet e tjera që nuk ishin pjesë e procesit deri vonë.

“Është e rëndësishme që vendet e Ballkanit Perëndimor të mos qëndrojnë mënjanë dhe të humbasin momentin për përparim më të shpejtë”, thonë burime diplomatike dhe vlerësojnë se në muajt në vijim do të kërkohen rrugë për progres konkret në çështje si fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut, progres më konkret në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, statusi kandidat për Bosnje-Hercegovinës dhe kërkesa e Prishtinës për liberalizimin e vizave”.

Në fillim të tetorit, samiti i Bashkësisë Politike Evropiane

Para samitit në dhjetor, në Pragë do të mbahet më 6 tetor një samit i të ashtuquajturës "Bashkësi Politike Evropiane", me iniciativën e presidentit francez Macron dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

Ky format i ri duhet të sjellë në të njëjtën tryezë anëtarët e BE-së dhe ato vende që nuk kanë, ose nuk duan, perspektivën e anëtarësimit, duke ofruar një platformë për debat të rregullt për çështjet me interes të përbashkët për të gjithë kontinentin, nga siguria dhe energjia e deri te ndryshimi i klimës dhe lidhja. Së bashku me ftesat për vendet e Ballkanit Perëndimor, siç mësohet, presidenti i Këshillit Evropian, Michel dhe kryeministri çek Vijala kanë ftuar në samit edhe Britaninë e Madhe, Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë, Turqinë, Azerbajxhanin dhe Izraelin.

Kancelari gjerman Scholz mbështeti projektin e Komunitetit Politik Evropian, me paralajmërimin se ai nuk mund të zëvendësojë zgjerimin e BE-së.

Në të njëjtën kohë, Scholz paralajmëroi “ringjalljen” e Procesit të Berlinit dhe mbajtjen e një samiti të ri në kuadër të kësaj nisme më 3 nëntor në Berlin, me fokus në Agjenndën e Gjelbër dhe tregun e përbashkët rajonal.

Megjithatë, shumë vende anëtare besojnë se Procesi i Berlinit është një format i pamjaftueshëm gjithëpërfshirës, pasi ai mbledh vetëm një të tretën e anëtarëve të BE-së dhe se për këtë arsye nevojitet një sinjal i angazhimit më të gjerë politik evropian në Ballkan, ndër të tjera përmes samitit  të liderëve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, të paralajmëruar për fillim të dhjetorit në rajon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë