Politike

Samiti i Berlinit, Mitsotakis në Tiranë edhe për çështjen Beleri   

E hëna do të jetë një ditë e veçantë për Shqipërinë, vendi i vogël i Ballkanit Perëndimor do të kthehet sërish në qendër të vëmendjes europiane. Në Tiranë do të mbahet samiti i Procesit të Berlinit, i pari që zhvlliohet në një shtet jo anëtar i BE-së.

Ndonëse në fokus do të jetë integrimi i mëtejshëm i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së dhe nxitja e bashkëpunimit rajonal, liderë të tjerë pritet të jenë me një agjendë te dyfishte

E pikërisht këtu bëhet fjalë për kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, i cili të hënën do të jetë në Tiranë jo vetëm për samitin e Procesit të Berlinit, por edhe me misionin për çështjen e Fredi Belerit.

Ky pritet të jetë ballafaqimi i parë mes Ramës dhe Mitsotakis qe prej darkës se 21 gushtit qe Mitsotakis zhvilloi me liderët e rajonit në Athinë. Madje ai luajti me kartën tjetër, duke ftuar presidentin Bajram Begaj, i cili, me politesë e refuzoi atë, për shkak të agjendës që kishte.

Ende nuk është zbuluar nëse do të ketë një takim mes tyre, por ky ballafaqim pritet të jetë i pashmangshëm. Sakaq mësohet se Mitsotakis pritet që nga Tirana të japë edhe një deklaratë për mediat greke që do të jenë prezente në këtë event. Ndërsa Beleri shihet si një “kalë troje” e Athinës në këtë samit, çka mund të shkaktojë edhe ngritjen e pretendimeve apo të nxjerrjes së kushteve të Greqisë ndaj Shqipërisë për procesin e integrimit, gjyqi për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës me 14 maj është shtyrë me 17 tetor. Mediat greke aludojnë se gjyqi u shty qëllimisht për shkak të samitit që do të mbahet në Tiranë.

Greqia e cilëson si shkelje të drejtave themelore evropiane mënyrën e trajtimit të Belerit, duke mos e lejuar që të betohet si kryetar i bashkisë së Himarës. Madje Athina zyrtare e sheh si një vijë të kuqe fatin e Belerin dhe ka kërcënuar se kjo çështje do të ndikojë në procesin e anëtarësimit të BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë