Politike

‘Kemi 90% hua dhe 10 % grante’, Rama në Malin e Zi: Do të bindim BE të dalë garante për borxhet tona

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, që mbahet në Kotor, Mali i Zi, me fokus Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor.

“Jam mjaft i zhgënjyer që Mali i Zi na mirëpriti me shiun gjerman e jo me diell', tha Rama me batutë në nisje të fjalës së tij para samitit, që nuk dihet nëse kishte diçka të vërtetë për mikëpritjen apo samiti lidhej thjesht me kohën e vrenjtur dhe me shi ndryshe nga samitet e organizuara në Tiranë, ku është shoqëruar gjithnjë me diell  

Megjithatë për pjesën tjetër, vetë Rama u përpoq të sqaronte se çdo gjë është në rregull.

“Ne do të zhvillojmë një seancë tjetër të këtij procesi mjaft frymëzues dhe inkurajues që do të çelë shtigje të reja për të gjitha vendet e Ballkanit për të bërë të mundur integrimin në tregun e përbashkët të Bashkimit Europian dhe për të nxitur tregtinë, ndërkohë që krijon mundësi të reja për qytetarët tanë.

Shpresojmë që brenda këtij viti të sigurohemi që transfertat financiare të qytetareve tanë nga BE në vendet tona do të jenë shumë më të lira, sepse nuk do të kemi barrën e shpenzimeve që kanë e nëse do të bëhet do të jetë një gjë shumë e mirë. Për pjesën tjetër na duhet të punojmë...”, tha ai

Takimi rajonal u zhvillua nën logon “Një rajon, vizion i përbashkët”, pason takimet e mëparshme të këtij niveli mes liderëve, në Tiranë dhe në Shkup, ku është diskutuar gjerësisht mbi Planin, që synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e BP.

Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama u ndal te modeli i panit të investimeve ekonomike, ku u shpreh se kanë 90% hua dhe 10% grante.

Kreu i qeverisë u shpreh se me “ndihmën e Bankës Europiane të Investimeve do të bindim BE të dalë garante për borxhet tona”.

“Dhe sepse nisur nga fakti që këtu janë të pranishëm përfaqësues të institucioneve financiare më duhet të insistoj në fiksimin tim se nevojiten instrumente të reja pasi është nevoja jonë për siguruar më shumë hua nën garancinë e BE.

Kjo do të garantonte dhe do të ndryshonte panoramën. Do të ishte e rëndësishme të siguronim financime që nuk janë të vogla për ne sepse paratë janë të rëndësishme, por në të njëjtën kohë nuk duhet të gënjemë njëri tjetrin dhe veten. Në modelin e planit të investimeve ekonomike, kemi 90% hua dhe 10 % grante dhe është një botë e kthyer përmbys ku duhet të jenë anasjelltas.

Me ndihmën e Bankës Europiane të Investimeve do të bindim BE të dalë garante për borxhet tona. Do të doja të jem i sinqertë me ju, në fund sikurse na thanë kur ishim të vegjël ‘varësia ekonomike nga ju ishte humbja e lirisë tonë për t’u çliruar nga ju’. Ndaj dalja garant për huatë tona do të bëjë që ju të vini pas nesh për paratë.

Në brezin e ardhshëm të Europës dhe me Ballkanin që mund të bëhet qendra e re e Europës, gjërat do të jenë më pozitive...”, tha Rama.

Samiti është i konceptuar në dy panele, përkatësisht: “Angazhimi dhe planet e së ardhmes”, si dhe “Kontributi për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal”, me pjesëmarrjen liderëve të rajonit, si dhe Komisionerit të BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, dhe Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Në Samit janë  të pranishëm drejtues e përfaqësues të organizatave partnere si Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Botërore, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian... etj

Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore:

-Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian.

-Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal.

-Përshpejtimi i reformave themelore

-Rritja e ndihmës financiare


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë