Politike

Samiti BE-Ballkan / Qeveria vendos 6 dhjetorin ditë pushimi për administratën dhe shkollat, por vetëm për Tiranën

Qeveria vendos që 6 dhjetori të jetë ditë pushimi vetëm për Tiranën. Ditën kur do të mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor, administrata dhe shkollat do të jenë pushim por vetëm për qarkun e Tiranës.

Vendimi vjen për shkak të masave të larta të sigurisë ditën kur do të zhvillohet samiti.

Rreth 1500 efektivë pritet të jenë në terren për të siguruar mbarëvajtjen e samitit.

Disa nga akset kryesore në vend do të bllokohen, përfshirë unazën për kalimin e makinave.

Raportohet për 16 nivele sigurie, që do të thotë kontrolle të ndryshme nga forcat e sigurisë.

Prej disa ditësh ekipet e Brukselit ndodhen në Tiranë për të koordinuar punën me ekipet shqiptare sa i përket sigurisë.

Po atë ditë Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë paralajmëruar protestë para kryeministrisë.

Berisha nuk ka pranuar kërkesën e Bashkisë për ta zhvilluar në Sheshin “Skënderbej”, por para kryeministrisë aty ku zona përreth saj do të jetë e blinduar dhe me masa të larta të sigurie.

Gjithçka pritet të nisi rreth orës 10.00 të mëngjesit të së martës. Pritja e liderëve do të bëhet tek sheshi Italia ndërsa samiti do të mbahet ose tek Hotel Mariott tek stadiumi ‘Air Albania’, ose tek Pallati i Kongreseve

Mbledhja do të ketë një ndërprerje rreth orës 13:00 për të vijuar me hapësirën e drekës, ndërsa rreth orës 15:00 pritet të mbahet konferenca e përbashkët mes kryeministrit Rama, presidentes të Komisionit Europian Ursula Von der Leyen dhe presidentit të Këshillit Europian Charles Michel.

Në kryeministri do të zhvillohen të gjitha takimet bilaterale përpara datës 6 dhjetor.

Nga liderët e Ballkanit nuk pritet të ketë mungesa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë