Futboll

Salihi ‘var këpucët në gozhdë’: Ky është momenti për një fillim të ri

Pas një karrierë të gjatë të mbushur me lavdi dhe suksese të mëdha, sulmuesi Hamdi Salihi ka vendosur t’i jap lamtumirën futbollit të luajtur. Futbollisti shkodran e ka marrë këtë vendim në moshën 35-vjeçare pas një karrierë prej 17 vitesh si profesionist dhe që një pjesë të madhe e ka zhvilluar jashtë vendit në ekipe të njohura në Europë. Lajmin për këtë vendim të papritur Salihi e ka bërë me dije përmes rrjeteve sociale, ku ka shpërndarë një letër falënderimi për të gjithë. Në fjalët e tij sulmuesi shkodran shprehet falënderues për të gjithë ata që e kanë ndihmuar në karrierën e tij në të gjitha shkallët.

Por ky largim i Hamdi Salihit nga fushat e blerta, aty ku ai ishte “ujku i golit”, nuk është një fund. Shkodrani shkruan në letrën e tij se ky largim nga futbolli i luajtur shënjon njëkohësisht edhe një fillim të ri për të. Nuk shkruan se për çfarë bëhet fjalë apo në çfarë roli do e shikojmë në të ardhmen, por është e sigurt që me eksperiencën e akumuluar në futbollin e tre kontinenteve të ndryshme, Salihi mund të jap shumë për futbollin shqiptar dhe më gjerë.

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=2111844485596623&id=822926557821762

Hamdi Salihi është një produkt i shkollës më prodhimtare të futbollistëve në Shqipëri, Vllaznisë. Bomberi që ka luajtur në 6 kampionate të ndryshme, karrierën e filloi me ekipin e tij të zemrës, Vllazninë e Shkodrës. Vetëm dy sezone mjaftuan te kuqeblutë, që Salihi të spikaste me 30 gola në 55 ndeshje, që do e ndihmonin atë të bënte kapërcimin e madh në karrierë. Vetëm 20 vjeç, Salihi kaloi në Superligën greke me Panionios, ku nuk shkëlqeu dot dhe pas 6 ndeshjesh, u rikthye në Shqipëri, por këtë herë me Tiranën. Dy sezone në kryeqytet i mjaftuan për t’u pjekur mjaftueshëm dhe të dilte edhe një herë në arenën e madhe të futbollit europian. Austria ishte destinacioni i tij më i preferuar dhe kampionati ku do të luante me gjatë, plot 7 vite. Në fillim u transferua te Ried, ku me 34 gola në 84 ndeshje, tërhoqi vëmendjen e klubit të madh austriak, Rapidit të Vjenës, ku kapi majat e karrierës së tij. Me Rapidin, Salihi do të luante 67 ndeshje, duke shënuar plot 36 gola. Pas këtij suksesi në Austri, Salihi vendosi të bënte një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij, të transferohej në kampionatin amerikan të futbollit, me një nga ekipet më të mira të kësaj lige, siç ishte Dc United.

Pas aventurës 1-vjeçare në SHBA, Salihi kaloi në pjesën tjetër të globit, në Kinë, ku gjithashtu qëndroi vetëm 1 vit. Pas një viti e gjysmë në kampionatin izraelit, Salihi rikthehet në Shqipëri. Këtë herë në Superligë, shkodrani do të luante me fanellën e Skënderbeut, ku arriti dhe suksesin historik me këtë ekip, duke luajtur për herë të parë në grupet e Europa League me një klub shqiptar. Një largim i zhurmshëm dhe mes polemikash një Shqipëria pasoi një periudhë “pleqërimi” në Austri te Wiener Neustadt, që do të ishte dhe klubi i fundit si futbollist për Hamdi Salihin

Me kombëtaren Hamdi Salihi ka qenë një nga sulmuesit kryesorë në periudhën 2007-2014, ku luajti 50 ndeshje me ekipin e parë. Salihi është golashënuesi i pestë më i mirë në historinë e kombëtares kuqezi, me 11 gola të shënuar. Golat e tij janë njëri më i bukur se tjetri, me kokë, roveshatë, gjuajtje nga larg, por të gjithë, nga shkodrani mbajnë mend golin në Norvegji. Ai ishte goli që i dha Shqipërisë për herë të parë një fitore të rëndësishme jashtë vendit dhe që çeli një epokë të artë, që kulmoi me kualifikimin në Europian, aty ku shkodrani nuk u përzgjodh që të shkonte.

https://www.youtube.com/watch?v=yzGu000wU-0

Goli i Hamdi Salihit në ndeshjen Norvegji – Shqipëri është treguesi më i saktë për cilësitë dhe karakterin “vrasës” që Salihi kishte në zonën e ngushtë përballë portierit. Me largimin e tij, fusha e lojës ka humbur një bomber të vërtetë, por të gjithë shpresojmë që ky talent i madh dhe eksperiencë në fushën e blertë të jetë po aq vlefshëm edhe jashtë fushave për futbollin shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë