Politike

Salianji vetëdorëzohet në polici, pritet nga mbështetës të shumtë të PD: Është një betejë që nuk përfundon! (foto, video)

Nga Gazeta ‘Si’- Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të lënë në fuqi dënimin me një vit burg ndaj tij, për veprën penale kallëzim të rremë, deputeti Ervin Salianji është vetëdorëzuar në polici.

Salianji mbërriti në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, duke vendosur kështu të vuajë dënimin dhe të mos pranojë propozimin unanim të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, për ngujim në selinë blu.

“Është një betejë që nuk përfundon. Sakrifica pa diskutim që nuk shkon dëm. Në përballje me regjimin secili merr kostot e veta. E di që shumë prej miqve kanë vuajtur represionin e qeverisë”, tha deputeti para policisë.

Para se të futej në ambientet e godinës së policisë së Tiranës, Salianji është takuar me mbështetës e simpatizantë të PD-së, të cilët kanë bllokuar rrugën në shenjë proteste, kundër burgosjes së deputetit.

“Ervin, na ke ne. Mos u dorëzo kurrë”, iu drejtuan disa prej tyre Salianjit.

Pasi doli nga selia e PD Salianji deklaroi se betejën e tij për të vërtetën do ta vijojë edhe nga qelia, duke thënë se shpreson që të frymëzojë dhe qytetarët me këtë gjë.

“Jam shprehur që do të përballem kudo dhe me këtë ndërmarrje banditeske për të më hequr lirinë. Shpresoj që beteja ime të frymëzojë qytetarët. Ne jemi më të mirë se ta, ne vendosim sakrificën për të thënë të vërtetën, pasi ajo nuk ka çmim. Nuk kam dashur protestë para drejtorisë së policisë ku po shkoj të vetëdorëzohem. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen”, tha Salianji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë