Nga Gazeta ‘Si’- Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, nisi foltoren e tij nga qyteti i Durrësit. Ai deklaroi se Partia Demokratike, duhet të udhëheqë ndryshimin që të gjithë po presin.
“Sot është koha për të folur edhe për ne”, tha ai duke shtuar se pritshmëritë e shqiptarëve janë të mëdha.
Sipas Salianjit, është e vërtetë që me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste nuk zhvillohen zgjedhje të ndershme, por një arsye pse opozita dhe Partia Demokratike nuk po fiton është edhe prej paaftësisë së saj.
“Do të na urrejë çdo demokrat nëse nuk i përgjigjemi në kohë shqetësimit të tyre. Është e vërtetë si drita e diellit që Edi Rama dhe Partia Socialiste nuk zhvillojnë zgjedhje të drejta. I kanë goditur zgjedhjet, i kanë zhvlerësuar. I kanë rrethuar votuesit. Ata kanë patronazhim kapilar të çdo qendre votimi dhe njohin emër për emër duke gjurmuar votuesit. Edi Rama përdor mjete të ndyra në politikë, dhe e kam përsëritur që e ka prishur procesin politik në Shqipëri. E ka bërë politikën të papërgjegjshme, të shthurur, pa mision dhe pa kontratë me njerëzit. Zgjedhjet janë si një luftë mes ndërvarësisë për bukën e gojës dhe shtrëngimit me vendin e punës apo sipërmarrjen. Por të dashur miq duhet ta themi hapur dhe me sinqeriteti. Një tjetër shkak është paaftësia e opozitës, e Partisë Demokratike si forca më e madhe opozitare në vend, për të qenë bindëse, për të nxjerrë shqiptarët drejt kutive të votimit, për t’i fituar zgjedhjet. Zgjedhjet e pjesshme janë një sinjal i fortë që duhet ta lexojë gjithsecilin prej nesh”, tha Salianji.
Sipas Salianjit është koha për të kuptuar pse demokratët nuk dalin të votojnë. Ai theksoi se pavarësisht skandaleve, Partia Demokratike nuk po rritet.
“Edi Rama rriti të nxirrte me gjithë represionin 15 mijë votues në Vlorë, por ne nuk arritëm të nxirrnim dot më shumë apo rreth 2 mijë e 500. Kjo më bëri të reflektoj dhe kuptoj që ne duhet t’i dëgjojmë demokratët për arsyet se pse demokratët nuk dalin të votojnë. Ne jemi të qartë. Pse nuk i motivojmë ne të dalin të votojnë dhe t’i pyesim. Nuk mund t’i mbyllim as sytë e as veshët kur një superskandal si kapja në korrupsion dhe shpërdorim për 50 milionë euro siç ishte rasti i zv/kryeministres Belinda Balluku nuk bëri që njerëzit të vërshonin në shesh dhe revoltë dhe ta përmbysnin qeverinë siç po ndodh në Rumani, siç po ndodh në Bullgari dhe siç po ndodh në çdo vend tjetër”, tha Salianji.
Salianji, i cili është njëkohësisht edhe anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike tha se selia blu duhet t’i dëgjojë demokratët, përkundrazi mosdëgjimi i tyre është “një gabim i rëndë”.
Ai theksoi se PD-ja “duhet të hapet, të ripërtërihet, të zgjohet, të rinovohet, besojë te brezi i ri, të kombinojë përvojën me freskinë dhe padiskutim të fitojë”.
“Ndryshimi gjeneracional nuk është më një slogan dhe nuk duhet të jetë më një slogan, është oksigjen politik për PD, është kusht i domosdoshëm për të qenë fitues dehe kthimin e shpresës për ndryshim që mezi e presin jo vetëm demokratët por të gjithë qytetarët shqiptarë”, tha Salianji.
Edhe anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka bërë thirrje për mobilizim dhe bashkim të demokratëve, duke theksuar nevojën për një PD më të fortë dhe më të bashkuar.
Gjatë fjalimit të tij, ndërsa fliste për rifuqizimin e PD-së, Alimehmeti shtoi se demokratët duhet t’u drejtohen qytetarëve me “shpirt e me zemër”, sepse vetëm kështu mund të kenë besimin e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



