Politike

Salianji i kthen përgjigje Berishës: Qëllimi i çdo takimi është zgjimi i Partisë Demokratike

Në një komunikim për mediat Ervin Salianji tha se politikanët e Partisë Demokratike duhet të kthehen te njerëzit dhe bashkëbisedimet me ta për ta arritur hapjen dhe ripërtëritjen e partisë.

Duke komentuar deklaratat e kryetarit të partisë, Sali Berisha, sot i cili tha se çdo aktivitet jashtë forumeve është privat, Salianji tha se qëllimi i tij është interesi i demokratëve.  

“Qëllimi i çdo takimi është ringritja, fuqizimi dhe zgjimi i Partisë Demokratike. I vetmi qëllim që kam unë dhe që e kam treguar është interesi publik, por sidomos interesi opozitar i PD-së”, tha Salianji.

Por çfarë deklaroi sot Sali Berisha?

Duke komentuar pikërisht foltoret e nisura nga demokrati Salianji, Berisha e cilësoi si një lëvizje personale të tij. Sipas tij, PD-ja ka nisur debatin e hapur.

“Çdo person, që për qëllime personale, organizon takime, i ka ato totalisht në interesin e vet dhe nuk ka lidhje me partinë. Ky rregull është për çdo forcë politike në botë. Listat në PD nuk ishin më të mirat dhe ky sistem ka ardhur nga Edi Rama më 2021. Çdokush bën zgjedhjen e vet”, u shpreh Berisha.

Ervin Salianji nisi takimet më 29 nëntor. Një foto e tij dhe mjekut të njohur Ilir Alimehmeti, shoqëruar edhe nga kandidatët më të votuar të PD-së në listat e hapura ngritën aludime të forta se në “PD po lind një lëvizje e re për riformatimin e saj”.

Ndërkohë Partia Demokratike ka nisur turin e foltoreve krahas “parlamentit” që zhvillon çdo javë para kryeministrisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë