Gazeta Si – Sali Berisha ka sulmuar sërish Prokurorinë e Posaçme pak pasi ka dalë prej andej ku zbatoi masën “detyrim paraqitje”, pasi është nën hetim dhe akuzë për aferën e privatizimit të klubit “Partizani”.
Ai tha se prokurorët kërkuan rikthimin e tij me “arrest shtëpie”, pasi “kanë frikë nga e vërteta”. Berisha sulmoi sërish kreun e SPAk, Altin Dumani, të cilin e akuzoi se “fle mbi dosjet e krimit”.
Përveç firmojes në dokumentin e procesverbalit të SPAK, ish-kryeministri ka lënë një shënim. Në dokument thuhet se procesverbali, pasi lexohet gjendet i rregullt dhe nënshkruhet pa vërejtje, por Berisha e ka shkelur duke lënë shënimin në fjalë.
Ky është një akt i turpshëm politik me të cilin prokuroria në kundërshtim me kushtetutën kërkon të më ndalohet fjala e lirë, dhe një gjykatës kukull i Partisë vendosi sipas kërkesës së tyre. Unë kam denoncuar dhe do denoncoj bashkëpunimin e Dumanit e kompani me krimin si një organizatë kriminale”, – ka shkruar Berisha me shkrim dore.
Më tej, kreu i PD-së, është shprehur se do t’i sulmojë të gjithë ata që bashkëpunojnë me krimin.
“Organizata kriminale Skapi i partisë kërkoi nga gjykatësi kukull që Sali Berishës t’i rikthehet arresti në shtëpi, jo se prish provat, jo se kanë asnjë fakt, por sepse ka sulmuar gjykatëset dhe prokurorët. Këtu ne arrijmë në një moment dramatik, në momentin kur këta kriminelë që flenë mbi dosjet e krimit dhe bashkëpunojnë me krimin, vendosin të bëhen xhelatë të fjalës së lirë. Sali Berisha i ka sulmuar, do t’i sulmojë të gjithë ata që bashkëpunojnë me krimin dhe kurrë njerëz të ndershëm, njerëz që bëjnë ligjin”, – tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së, ka akuzuar kreun e SPAK, Altin Dumanin të cilin e ka cilësuar “kryekriminel elektoral që fle mbi dosje të krimit”.
“Sali Berisha ka sulmuar dhe do faktojë që sot para jush se si Altin Dumani fle mbi dosje krimi. Do faktoj para jush se si këta anëtarë të organizatës kriminale, në deklaratat e tyre, deklarojnë siç deklaron Dumani se e kam blerë me 380 metër katror apartamentin, kurse ekspertët e tij i urdhëron të vlerësojnë me 520 metër katror ndërtimin e viteve ’70. Ndërtimi i viteve 2000 e sa vlerësohet me 380, kurse ndërtimi i viteve 70 vlerësohet me 520. Altin Dumani është një kryekriminel elektoral, sepse ka mbyllur të gjitha dosjet e krimit monstruoz elektoral. Aty gjeta McGonigalin që po i bënte kurs Altin Dumanit, po e trajnonte Dumanin. Nuk e solla unë McGonigalin aty, ai i thoshte se në këtë mënyrë duhet të veprosh herët e tjera”.
Berisha vijoi akuzat edhe ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrit të drejtësisë, Ulsi Manja: “Gjeta aty Lali Vjedhësin, po rrihej me kolegët, sepse ju thërrisni Ajolën këtu dhe nuk thërrisni Lindën që e keni të regjistruar duke ndërhyrë në tenderat e AKSHI-t, regjistrim ambiental. Gjeta aty Ulsin, po zihej me Dumanin aty për çantën Louis Vuitton. Sepse Ulsiu, pasi ka marrë një pagesë të madhe shumë, i kërkon me dokumente çunit të Londrës edhe një çantë Louis Vuitton. I thotë ai për kë e do ti, nuk e them bisedën tjetër se është intimitet familjar. Unë gjeta aty raftet me 130 milionë euro të djegësit të Tiranës që po i ndanin si çakej me njëri-tjetrin. Gjeta paratë e sterilizimit, të cilat përsëri kishin arritur këtu”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.