Politike

Sali Berisha rikthehet në Parlament pas 11 muajsh arresti shtëpie: Unë futem, metamorfoza del

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është rikthyer në Parlament pas 11 muajsh mungesë në seancat plenare.

I pyetur në lidhje me rikthimin e tij në sallën e Parlamentit, ish-kryeministri u shpreh në oborrin e Kuvendit se “Berisha futet, metamorfoza del”.

“Berisha futet metamorfoza del. Kaq e morët përgjigjen”, tha Sali Berisha, i cili më pas iu drejtua seancës plenare ku do të miratohet buxheti 2025 nen për nen.

Sali Berisha ishte i shoqëruar nga Flamur Noka, Edi Paloka, Elda Hoti, Ina Zhupa dhe Isuf Çela.

Pasi ka kaluar shqyrtimin dhe diskutimet në të gjitha komisionet parlamentare, tashmë buxheti do të miratohet nen për nen dhe në tërësi në Kuvend.

Rikthimi i Sali Berishës përkon me depozitimin e 34 amendamenteve të PD-së për buxhetin e vitit të ardhshëm, mes të cilave 2 mbajnë firmën e tij. Ndërkohë, 11 amendamente janë depozituar nga Partia e Lirisë, përmes së cilave kërkohet një shtesë në buxhet me rreth 45 miliardë lekë.

Një ditë më parë kreu i grupit të Partisë Socialiste Niko Peleshi u ka kërkuar deputetëve të jenë të pranishëm dhe aktiv në seancën e sotme ku do të diskutohet buxheti. Në porosinë që u dha deputetëve socialistë ishte vëmendja në amendamentet e PD-së për buxhetin.

Ndër amendamentet e propozuara nga PD përfshihet caktimi i minimumit jetik në 200 euro, rritja e pensioneve dhe deri te shtimi i fondeve për Onkologjikun etj. Ndërsa Partia e Lirisë ndalet tek pensionet, rritja pagave por dhe ndihmës ekonomike kryesisht.

Në parim buxheti me një vlerë prej 8.2 miliardë euro u votua në 19 dhjetor mes debateve dhe protestave me 75 vota pro, 40 kundër dhe asnjë abstenim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë