Në mbyllje të fjalës së tij pa ndonjë surprizë nga ato c’ka thënë më herët, Sali Berisha, shoqëroi për delegatët një batutë.
Duke risjellë një episod të kaluar, kur u rrëzua në fillim të një fjale, ai tha: “Prapë i paskan lënë edhe disa shkallë këtu, por Sali Berisha nuk rrëzohet kurrë më” Dhe kishte të drejtë.
Sepse për hërë të parë në Kuvendin Kombëtar të thirrur prej tij, Sali Berisha bëri protagonist jo veten, por të bijën.
Argita Malltezi, (bashkëshorti i së cilës ndodhet në arrest shtëpie për korrupsion pasiv) e kishte lënë të hapur përfshirjen në politikë në 2015-ën, por në rrethana krejt të tjera si familjare ashtu edhe politike, në një interviste të fundit të vitit 2023, ajo përdori lojëra fjalësh kur u përgjigj se betejën politike e bën i ati, madje, ‘shkëlqen’.
Por shkëlqimi po i zvarget dhe Argita Malltezi u shfaq krah të atit që në hyrje të Kuvendit, u rreshtua krah anëtarëve të kryesisë së PD-së së Rithemelimit, nuk mund t’i shmangej shikimit drejt karrigeve bosh të më shumë se gjysmës së deputetëve të PD që nuk ishin, e mandej mbajti edhe një fjalim pas lidershipit të partisë, por para se të fliste kryetari i FRPD apo kryetari i vetëm që fitoi bujshëm bashkinë e Kavajës, Fisnik Qosja.
Nuk kishte shume rëndësi ajo që tha, sesa vetë prania e saj.



Argita Malltezi ishte ngjitur në shkallët e podiumit të organit më të rëndësishëm për një parti, për herë të parë në 33 vite të themelimit të PD-së, duke qortuar aksionet politike ndër vite si kryetar të ish-mikut të saj Lulzim Basha (që herët e kish prezantuar me Berishën) por indirekt edhe vetë të atin.
‘Diku ne gabuam. Secili prej nesh u përpoq shumë dhe rendi drejt sigurisë ekonomike, por harruam një mësim të historisë të cilin e kemi përjetuar: të drejtat politike janë thelbësore për ushtrimin e lirive ekonomike…”, tha ajo “si përfaqësuese e shtresës së mesme”, në sallën gjysmë të boshatisur pas fjalimit të Berishës.



“Ne dënuam veten me pasojat me të cilat sot përballemi, në momentin kur zgjodhëm lëvozhgën pavarësisht thelbit…
Ne kemi ditur të ngrihemi dhe të luftojmë, por lejuam të keqen që erdhi nga kreu, të shtrihej e kapilarizohej në shoqëri dhe sot e gjejmë veten të ngërthyer prej saj. Ajo që është më e pafalshme është mësimi, shembulli që u lamë fëmijëve tanë”, vijoi ajo.
Argita Malltezi e mbylli fjalimin mirëfillti politik me kërkesën për tu ngritur për të ardhmen e fëmijëve.
Ajo u largua nga podiumi jo me entuziazmin që salla priti të atin, por me më shumë duartrokitje sesa cdo zyrtar tjetër i PD-së.
Argita Malltezi është kthyer publikisht në parti, duke marrë si kujtim të parë një foto nga deputetja e PD-së Albana Vokshi që fotografonte zellshëm cdo shqiptim të fjalës. Fundja ‘shefi’ i saj nuk është rrëzuar.
Berisha do qëndrojë në këmbë nga vetë filozofia politike që ai ka përcjellë në parti, ajo e unit, që vecse mund të trashëgohet / N.P
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




