Politike

Sali Berisha është ndaluar nga policia vetëm një herë, atëherë kur Ilir Meta ishte kryeministër

Pas aleancës së 2009-ës, Ilir Meta ndryshoi mendim për Sali Berishën dhe Sali Berisha për Ilir Metën. Deri para kësaj date, të dy ata ishin në një “armiqësi” të thellë politike, aq sa në vitin 2000, pas zgjedhjeve vendore dhe kur Ilir Meta ishte Kryeministër i vendit urdhëroi arrestimin e Berishës.

Në atë kohë, Berisha akuzonte qeverinë socialiste se i kishte vjedhur votat dhe në nëntor të vitit 2000 ngriti qytetarët në revolta. Çfarë ndodhi realisht? Nga raportimet e mediave vendase dhe të huajë në atë kohë, paraditen e 28 nëntorit 2000, dega lokale e Partisë Demokratike në Tropojë organizoi një protestë për pretendimet për vjedhjen e votave që i ishte bërë opozitës.

Policia e Tropojës kishte siguruar informacione në rrugë operative se atë ditë pritej të ndodhte një ngjarje e rëndë. Për këtë arsye aty mbërritën forcat RENEA në Bajram Curri. Protestuesit ju drejtuan godinës së gjykatës dhe kërkuan që të largoheshin forcat RENEA. Pas insistimeve të policisë, nisën të shtënat e armëve, kjo bëri që RENEA e policët të largoheshin me shpejtësi duke u strehuar në shtëpitë e qytetarëve.

Më pas dhjetra militantë të PD, duke u infiltruar mes protestuesve nisën një sulm ndaj komisariatit të policisë. Fillimisht rrethuan godinën dhe kërkuan që të lirohen të arrestuarit politikë. Efektivët të trembur nga fakti se kishin përballë persona të armatosur dhe të inkriminuar, i liruan të gjithë personat që ndodheshin në paraburgim. Më pas u kërkua që ata të braktisin komisariatin. Një gjë e tillë nuk u pranua dhe kjo bëri që militantët të hapnin zjarr mbi komisariatin e Bajram Currit. Policia u përgjigj dhe nisi një shkëmbim i ashpër zjarri mes palëve.

Kryeministri Ilir Meta reagoi menjëherë nga Tirana duke akuzuar Berishën se po bënte grusht shteti kundër qeverisë.

Ngjarjet në Tropojë alarmuan gjithë Tiranën e për këtë arsye policia e Garda u vunë në gatishmëri maksimale. Forcat speciale ishin udhëzuar se do të zhvillohej një operacion sekret, por pa marrë më shumë detaje nga frika e rrjedhjes së informacionit.

Rreth orës 19.00 policia bllokoi rrugët rreth ish-selisë së PD si dhe forca policie u vendosën te Ushtari i Panjohur dhe rreth Parlamentit. U fikën dritat dhe këto zona u mbushën me autoblinda e persona me helmeta e maska. Disa orë më vonë, makinës së ish-presidentit Berisha, me targa me ngjyrë jeshile, shenjë dalluese në atë kohë vetëm për personalitetet që ruheshin nga Garda e Republikës, i prenë rrugën duke e rrethuar menjëherë rreth 20 persona të maskuar me thirrjen Ndal! Policia!

Pasi u ndal makina, një prej oficerëve kërkoi të kontrollonte makinën dhe i kërkoi eskortës së Gardës së Republikës që të dorëzonte armatimin personal. Pjesë e ngjarjes ishin drejtues të lartë të ministrisë së Rendit, Bilbil Mema, zëvendësi i tij, Niko Brahimi, si dhe komandanti i Gardës, Arben Çuko, si dhe prefekti i Tiranës në atë kohë Taulant Dedja.

Nga dëshmitë mësohet se makina e fundit e eskortës së Berishës ishte ajo ku ndodhej Jozefina Topalli. Zëvendësdrejtori i policisë, Niko Brahimi, i kërkoi Berishës të dilte nga makina. Por, ish-presidenti i asaj kohe rezistoi, duke kërkuar urdhrin e prokurorisë për ndalimin e tij. Më pas u urdhërua shoferi që të ndiqte makinat e policisë, por edhe ai nuk u bind. Atëherë, tre njerëz me maska hapën me forcë derën, zbritën prej andej me forcë komandantin e truprojave të Berishës. Po ashtu u larguan me forcë dhe 2 truproja të tjerë.

Momente nga video e ndalimit te Sali Berishes te publikuar nga Andi Bushati ne emisionin“Zonë e Ndaluar” 

Menjëherë një person i maskuar i policisë hipi në timon, ndërsa dy të tjerë hipën mbrapa, ku dhe ndodhej Sali Berisha. Ky i fundit rezistoi për rreth gjysmë ore. Ndalimi i tij u bë rreth mesnatës. Makina përfundoi te Drejtoria e Policisë së Tiranës.

Në një dokumentar të publikuar nga gazetari Andi Bushati kanë dalë në dritë pamje dhe ajo se çfarë ka ndodhur dhe në komisariat. Berisha është marrë më pas në pyetje nga Veli Myftari, i cili sipas Berishë i kishte thënë: “Zoti Berisha, ju kemi thirrur t’ju këshillojmë që në mitingjet që organizoni të mos bëni thirrje antikushtetuese për prishjen e rendit dhe qetësisë publike. Berisha e ndërpret, duke i thënë: Ti sot nuk më ke thirrur këtu, por më ke rrëmbyer dhe kjo është e krejtësisht e paligjshme.

Momente nga video e ndalimit te Sali Berishes te publikuar nga Andi Bushati ne emisionin“Zonë e Ndaluar” 

Duke iu referuar radios së policisë që qëndronte e takuar dhe vendosur mbi tavolinë, në mënyrë që dikush të dëgjonte mirë pas saj, Berisha vazhdoi: Ai që të ka dhënë këtë urdhër ty dhe që tani fshihet pas kësaj radioje, është i paburrë. Ai e di se ç’është duke bërë, prandaj nuk guxon të nxjerrë fytyrën?

Radioja e policisë që ishte në duart e njërit prej shoqëruesve të Berishës, i cili nuk ishte në makinë, filloi të skanonte thirrjet në radiot e policisë. Ilir Meta shfaqej në të gjitha frekuencat. Berisha e akuzoi drejtpërdrejt se fshihej ai pas gjithçkaje. Rolin e luajtur në arrestimin e Berishës, Ilir Meta nuk e ka fshehur në asnjë rast, madje deri para 2009-ës, në intervista e dalje publike herë pas here e rikthente në kujtesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë