Gazeta Si – Ish-minisrtrit të Brendshëm Saimir Tahirit do t’i jepen disa orë lejë të premten (17 mars) për të dalë nga burgu për t’i dhënë lamtumirën babait që humbi jetën këtë të enjte në moshën 73-vjeçare.
Pas kërkesës dhe miratimit për leje nga avokati i tij në Gjykatë dhe Prokurori, Drejtoria e Burgjeve ka vendosur ta lejojë të marrë pjesë në ceremoninë mortore të të atit.
Nga burgu, Tahiri i ka shkruar një letër prekëse me fjalët e fundit për të, teksa e pyet përse e mori me nxitim rrugën e fundit.
Tahiri i shkruan se i bëri dhuratën e madhe duke e bërë burrë, ndërsa guxon t’i thotë “Të dua shumë”, gjë të cilën s’ia thoshte dot kur e kishte pranë pasi i vinte zor.
“O Ba, si nuk më prite? Me sa nxitim e more këtë rrugën e fundit dreqin. Të ndritë shpirti atje lart! Mua me bëre dhuratën më të madhe ndonjëherë, më bëre burrë. Dhe rri i qetë andej, mos u mërzit më. Qesh e gëzohu siç bëje këtu me ne. Sa here bëhesha gati po nuk ta thosha dot se më vinte zor, por ja po ta them tani që nuk më dëgjon më:
Të dua shume Ba! Të duam të gjithë shumë shoku Bashkim. Përgjithmonë!” – shkroi Tahiri.
Ceremonia mortore do të bëhet nesër në orën 11:00.
Tahiri ndodhet pas hekurave pasi më 4 shkurt të vitit 2022, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, e dënoi me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’.
Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



