Gazeta Si - Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, do ta kryejë dënimin prej 3 vjet e 4 muaj të dhënë nga Apeli i GJKKO-së në burgun e Fierit.
Vendimi është marrë këtë të mërkurë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila cila ka kryer një vlerësim të rrezikut para se të vendoste për transferimin e ish-ministrit.
Kjo, për të shmangur dërgimin e tij në ambiente ku qëndrojnë individë që për shkak të detyrës që ka mbajtur Tahiri, mund të konsiderohen rrezik për të.
LEXO EDHE:
- Qëndrimi në një ambient paraburgimi, përse u shkel ligji me Saimir Tahirin?
- Ato që nuk panë kamerat gjatë arrestimit të Saimir Tahirit dhe kë do ‘takojë’ në burg ish ministri i Brendshëm
- Foto-Video/ Saimir Tahiri dënohet me 3 vite e 4 muaj burg, del me pranga nga gjykata
Tahiri ishte sistemuar që prej datës 4 shkurt në burgun 313 në Tiranë. Ish-ministri i Brendshëm u dënua me 3 vjet e 4 muaj burg për shpërdorim detyre pas një procesi që zgjati thuajse 5 vjet.
Më 4 shkurt 2022, Gjykata e Posaçme e Apelit pranoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke e dënuar përfundimisht me 5 vite burg, por për shkak te gjykimit te shkurtuar ai do të vuajë përfundimisht 3.4 vite burg.
Gjykata e Apelit urdhëoi që ky dënim të ekzekutohej në qeli dhe po atë ditë Tahiri u transferua në burgun 313 deri më sot, 9 shkurt 2022, ku dhe do transferohet drejt burgut të Fierit.
Avokati Maksim Haxhia ka paralajmëruar rekurs në Gjykatën e Lartë, ku do të kërkojë pafajësinë e klientit të tij. Ndërkohë Kodi i Procedurës Penale, i lejon ish-ministrit të kërkojë edhe shtyrje të ekzekutimit të këtij dënimi nëse plotëson disa nga kushtet e përcaktuara. Ndërkohë po shqyrtohet se ku do të vuajë dënimin Jaeld Çela, ish-drejtori i Policisë së Vlorës, i dënuar po me 3 vite e 4 muaj burgpër shpërdorim detyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.