Futboll

Saga e mbiemrit Maldini, 18-vjeçari Daniel debuton në Serie A

Barazimi kundër Hellas Verona me rezultatin 1-1,  solli një lajm të mirë për Milanin. Debutimi zyrtar i Daniel Maldini (lindur në Milano, 11.10.2001) shërbeu për të zgjeruar një prej sagave më legjendare të futbollit në histori.

Mesfushori i ri, 18 vjeç, është djali i Paolo Maldini dhe nipi i Cesare Maldini, i cili vdiq në vitin 2016. Gjyshi i tij, mbrojtës, luajti 347 ndeshje dhe shënoi 3 gola me kuqezinjtë, të cilët do t’i stërviste më vonë në dy faza të ndryshme: 1972-1974 dhe 2001. Përveç Milanit, ai drejtoi edhe Foggia, Ternana, Parma… dhe kombëtaren italiane midis viteve 1996 dhe 1998.

Babai i tij, Paolo, është ndoshta ikona më e madhe e Milanit. Ai është lojtari që ka luajtur më shumë ndeshje me kuqezinjtë (902), ndërsa ndan me Buffon rekordin e paraqitjeve në Serie A (647), dhe rekordin e finaleve të Championsi (8).

Daniel Maldini, i cili tashmë kishte debutuar me Milanin në një ndeshje miqësore, u aktivizua ndaj Hellas Verona në vend të Castillejo, në minutën e 90-të. Këtë sezon me ekipin e të rinjve, mes Kampionatit dhe Kupës, ai ka shënuar tetë gola dhe ka dhënë pesë asist, në 12 ndeshje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë