Drejtësia

Safet Gjici kërkon lirimin nga burgu, gjykata vendos të thërrasë mjekët për problemet shëndetësore të ish-kryebashkiakut

Gazeta Si – Gjykata e Elbasanit vendosi thirrjen e ekspertëve mjeko-ligjorë, të cilët duhet të verifikojnë gjendjen shëndetësore të pretenduar të Safet Gjicit.

Ish-kryebashkiaku i Kukësit, prej më shumë se një viti në burg, është dënuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre pas skandalit seksual në zyrën e tij.

Seanca e radhës, ku ekspertët mjeko-ligjorë do të paraqiten në gjykatë për të marrë udhëzimet, është data 14 nëntor, ora 11:45.

Në kërkesën e tij drejtuar gjykatëses Suela Lika, avokati i Gjicit mbrojtës u bazua në nenin 59/a pika C të Kodit Penal, sipas të cilit një i dënuar që i ka mbetur më pak se 2 vite heqje lirie mund të qëndrojë në shtëpi për shkak të gjendjes shëndetësore.

Safet Gjici i dënuar me 3 vite burgim ka ende për të shlyer 1 vit e 2 muaj dënim të mbetur, ndërkohë aktualisht ai gjendet i hospitalizuar në një spital privat.

Sipas avokatit, ish kryebashkiaku i Kukësit vuan nga probleme të sistemit kardiovaskular, zmardhim të aortës dhe diabet të formës së rënduar.

Avokati Jançe shprehet se këto problematika Gjici i ka vuajtur edhe më herët, por gjendja e rënduar psikologjike në burg ka rënduar edhe më shumë problemet me shëndetin.

Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, mori një zgjatje të masës së dënimit në shkallën e Apelit të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pasi Apeli vendosi të prishë dënimin e shkallës së parë, i cili e dënonte atë vetëm për abuzim me detyrën dhe e dënoi atë për korrupsion.

Për korrupsion u dënua edhe Alma Kaçi, gruaja që regjistroi një video në të cilën ajo dhe Gjici shfaqen duke kryer marrëdhënie në zyrën e kryetarit të bashkisë si dhe duke biseduar për përfitimin e fondeve nga ana e Kaçit për ndërtimin e një qendre për trajtimin e qenve të rrugës në qytetin verilindor.

Gjici ishte dënuar në shkallën e parë për abuzim me detyrën dhe duhej të vuante 1 vit e gjashtë muaj burg, dënim që niste nga qershori i vitit të kaluar, ditën kur ai u arrestua dhe që pritej të përfundonte së shpejti.

Por Gjykata e Apelit doli në konkluzionin se Gjici nuk duhej të dënohej për abuzim me detyrën, por për korrupsion aktiv.

Rrjedhimisht, Gjici u dënua me 4.6 vjet burg, nga të cilat do të duhet të vuajë 3 vite për shkak të përfitimit të gjykimit të shkurtuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë