Nga Gazeta “SI” – Në vitin 2015 Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli datën 11 Shkurt si Ditën botërore të grave dhe vajzave në shkencë. Kjo datë e cila përkujton kudo nëpër botë gratë dhe vajzat të cilat kontribuan në zhvillimin e shkencës, na kujton se edhe pse një shtet i vogël me zhvillim të ngadaltë të shkencës , i patëm dhe ne gratë dhe vajzat shkencëtare . Një ndër to ishte Sabiha Kasimati, shkencëtarja e pushkatuar nga diktatura komuniste.
Sabiha Kasimati, drama e një gruaje fatkeqe.
Sabiha Kasimati u lind me 15 shtator 1912 në Edirne të Turqisë. Ishte e bija e doktor Abdurrahman Kasimatit. Familja e saj u zhvendos në Shkodër ku i ati shërbeu në vitet 1914 – 1915. Në vitet e Luftës së Parë Botërore, familja u vendos në pronat e veta në Verrie të Thesalisë. Pas shkëmbimeve të popullsive mes Greqisë dhe Turqisë, familja u kthye në Shqipëri duke rrezikuar edhe pronat e veta.
Më 1927, Sabihaja së bashku me familjen e saj u vendosën në Korçë ku fëmijët vijuan shkollimin, Sabihaja me motrat frekuentuan Liceun Frëng të cilin e mbaroi më 1931 – duke qenë vajza e parë që kreu atë lice. Pas mbarimit të liceut, punoi si mësuese në Normalen Femërore të Korçës, ku dha edukatë morale dhe gjuhë frënge.

Më 1933 u emërua në Shkollën Amerikane të Kavajës ku jepte biologji. Verën e 1935 iu akordua një bursë shtetërore për në Itali, ku ajo u regjistrua për të studiuar në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos. Kasimati zgjodhi si fushë specializimi ihtiologjinë dhe më 1940 doktoroi me temën “Fauna ittica di acqua dolce d’Albania” (Fauna ihtike në ujërat e ëmbla në Shqipëri). Drejtuesit e Universitetit i ofruan asaj pozitën e asistentit në degën e ihtiologjisë, por propozimin e tyre ajo nuk e pranoi dhe u kthye në atdhe.
Me kthimin në atdhe nisi punë në Institutin Pedagogjik Femëror “Donika Kastrioti”. Për shkaqe shëndetësore vajti të kurohej në sanatoriumin antituberkular në Bolzano në Itali, prej ku kthehet më 1945. Nisi bashkëpunimin me Selaudin Toto, me qëllim , organizimin e Institutit të Shkencave në Tiranë. U emërtua specialiste zoologe, e specializuar në ihtiologji. Bashkëpunoi me disa nga emrat më të njohur të shkencës së atyre viteve si Suad Asllani, apo profesor Stanisllav Zuber (një polak që jetonte dhe punonte në Shqipëri).
Ndërsa kryente studime të thelluara dhe botonte libra në fushën e shkencave biologjike, Sabiha Kasimati u bë dëshmitare sesi lufta e klasave po merrte jetët e intelektualëve të vendit që dyshoheshin për qëndrime kundër sistemit komunist që ishte kthyer në një makineri gjakatare. Kasimati shprehej hapur kundër sistemit që në vitet e para kur u ekzetua grupi i parë i deputetëve.
Kundërshtitë me diktatorin Hoxha.
Pas pushkatimit të drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto, si edhe i intelektualëve opozitarë Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi, Shefqet Beja, prof. Stanislav Zuberit etj., veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari, Sabihaja filloi të shprehte pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën.
Dr. Namik Kasimati, nipi i Sabihasë do të rrëfente më vonë se duke qenë se Sabihaja kishte mbaruar Liceun Francez bashkë me Enver Hoxhën dhe e njihte mirë, i kërkoi atij një takim. Sabihaja ishte shprehur : “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët?

Dhe diktatori që i ishte përgjigjur: Boll lexove iluministët francezë, të këshilloj të lexosh Marksin dhe Leninin’
Më 19 shkurt 1951 ndodhi një shpërthim në Ambasadën e ish-Bashkimit Sovjetik në Tiranë. Nga sulmi nuk kishte asnjë të plagosur, por autoritetet shqiptare të asaj kohe si fajtorë konsideronin një grup prej 22 intelektualësh të rinj që punonin asokohe në Tiranë, duke përfshirë edhe Sabiha Kasimatin (si e vetmja grua). Pavarësisht nga mungesa e çdo prove të fajit, Sabihaja u arrestua nga Sigurimi më 20 shkurt 1951 dhe u dënuan me vdekje. Dënimi u ekzekutua natën e 26-27 shkurtit 1951 në afërsi të fshatit Mënik, disa kilometra në perëndim të Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




