Mjedis

Sa zhurmë në qytete tona! Zonat më problematike nga ndotja akustike

Në qytetet kryesore të Shqipërisë zhurma vazhdon të jetë një fenomen shqetësues. Tirana, e cila ka dhe përqendrimin më të madh të banorëve ka nivelin më të lartë të zhurmave sipas matjeve të kryera nga Co-Plan gjatë viteve 2018-2021. “Disa nga shkaqet kryesore të niveleve mbi normat e lejuara të ndotjes nga zhurma në Tiranë janë shtimi i qarkullimit të automjeteve publike apo private”, shkruhet në raportin e Co-Plan. Gjatë periudhës janar 2020- mars 2021 në Tiranë janë kryer matje në katër zona të quajtura A, B, C,,D. Matjet janë kryer në tri fasha të ndryshme orare, në mëngjes, gjatë ditësh dhe gjatë darkës.

Nga të dhënat e dala është vënë re se niveli i zhurmës arrin nivelet maksimale në stacionet e Zonës D. Në këtë zonë shënohet dhe niveli maksimal i matur gjatë mëngjesit duke arritur vlerën 132 Db(decibel, njësia matëse e zhurmës). Ky nivel është matur në zonën ku ndodhet ish “Sheshi Shqiponja”, në kryqëzimin e rrugës “Dritan Hoxha”.

Një vlerë tjetër shumë e lartë e matur është në afërsi të kryqëzimit të rrugës “Teodor Keko” me rrugën “Abedin Rexha”. Në këto zona ka pasur rritje të ndjeshme për shkak të punimeve që po kryhen në unazën e re e për rrjedhojë dhe për shkak të trafikut të krijuar.

Një vlerë tjetër e cila e kalon më shumë se dyfishin e normës së lejuar (vlera maksimale e normës së lejuar gjatë ditës është 55 dB) është matur në stacionin D-21 që ndodhej jo shumë larg fakultetit të Inxhinierisë së ndërtimit, në afërsi të zonës “Ish-Fusha e aviacionit”.

Nivelet e zhurmës gjatë mëngjesit në Tirane

Gjatë darkës ka pasur rënie të vogël të vlerave të matura në këto zona, përkatësisht vlerat 90 dB, 81 dB, 77 dB, por gjithsesi kanë qenë të larta në krahasim me normat e lejuara.

Në zonën B që ndodhet dhe një sipërfaqe e zonës së Ish-Bllokut, në mëngjes dhe drekë vlerat janë nga 60 deri në 78 por që në raport shkruhet se këto vlera kalojnë më shumë se 83 gjatë darkës, “kjo për shkak të veprimtarive të bareve dhe restoranteve në atë zonë”.

Nivelet e zhurmës gjatë darkës në Tiranë

Ndërkohë në Elbasan, në mëngjes dhe gjatë orëve të paradites dhe pasdite, niveli minimal dhe ai maksimal në të gjitha pikat e monitorimit i kalojnë vlerat e lejuara, përkatësisht në zonën qendrore nga sheshi Valmi deri tek Elbasan Arena.

Në Shkodër zhurmat në mëngjes e kalojnë normën prej 55 dB “në më shumë se 80% të zonës së monitoruar me vlerë maksimale 76 dB.

Zonat më të zhurmshme janë: Bixhisteni, Xhabiej, sheshi “Nënë Tereza”, Perash, rrethrrotullimi Parrucë, sheshi Demokracia.

Matjet e zhurmës në qytetin e Durrësit janë kryer në katër zona dhe niveli mesatar i zhurmës në Bashkinë e Durrësit gjatë ditës dhe natës arrin rreth 54.6 dB dhe 48.5 Db.

Sheshi “Iliria” që është dhe sheshi qendror i qytetit është zona më e ndotur nga zhurmat gjatë ditës me vlerën mesatare 64.8 dB ndërsa gjatë natës niveli më i lartë i zhurmës është shënuar në sheshin “Pavarësia” me vlerën 63.5 dB. Zona më pak e ndotur nga zhurmat është zona pranë shkollës 9-vjeçare “Bedrie Bebeziqi” me vlerën 44 dB.

Zhurmat, njohur ndryshe si ndotja akustike, shkaktohen përgjithësisht nga aktivitetet njerëzore ku krahas veprimtarive industriale, dominojnë kryesisht zhurmat nga mjetet e transportit. Si rrjedhojë, zhurmat përbëjnë shqetësim për shëndetin e vetë njerëzve ku sipas të dhënave të OBSH-së, renditet si shkaktari numër 2 i sëmundjeve në kategorinë e ndotësve mjedisor pas asaj të ndotjes nga grimcat e ngurta të imëta. Sëmundjet që lidhen me ekspozimin e gjatë në mjedise me zhurmë janë ato fiziologjike dhe psikologjike, si sëmundjet kardiovaskuale dhe metabolike, gjendje stresi si dhe çrregullime në regjimin e gjumit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë