Keshilla

Sa vëmendje duhet t’i kushtojnë prindërit fëmijëve të tyre?

Sot prindërit kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre se kurrë më parë. Por në të njëjtën kohë, ata shqetësohen më shumë sesa gjeneratat e mëparshme për të bërë “mjaftueshëm”, duke besuar se mungesa e angazhimit, mund të dëmtojë suksesin dhe mirëqenien e ardhshme të fëmijës së tyre.

Megjithatë ky fiksim mund të ketë ndikime negative. Rritja e presioneve sociale ndaj nënave për t’u angazhuar me fëmijët e tyre, në krahasim me baballarët, po ndikon negativisht në mirëqenien e nënës. Pandemia e Covid-19 dhe shkollimi në shtëpi e shtuan presion.

Dhe kjo situatë ngre një pyetje të rëndësishme: Sa vëmendje ndaj fëmijës është e mjaftueshme? A është e dëmshme ta lësh fëmijë në terezinë e tij? A duhet ndonjëherë ta lini atë pas dore? Apo anasjelltas, a mund të angazhoheni më shumë sesa duhet me fëmijën tuaj?

Siç ndodh zakonisht me zhvillimin e fëmijës, përgjigja është diku në mes (dhe me siguri shumica e prindërve janë dukë bërë “mjaftueshëm”). Ne e dimë se një qasje prindërore mbështetëse është shumë e rëndësishme për zhvillimin e fëmijës.

Teoria e lidhjes, thotë se kur një foshnje i plotëson nevojat e tij nga një prind ose kujdestar në një mënyrë të përshtatshme dhe të qëndrueshme, ka më shumë gjasa të zhvillojnë një lidhje të sigurt me atë person. Kjo e ndihmon ë voglin të ndihet më i sigurt në vetvete dhe në raport me botën, duke çuar tek një zhvillim më pozitiv i aftësive njohëse, sociale dhe emocionale. Megjithatë, ndërsa lidhja e sigurt është shumë e rëndësishme, nivelet gjithnjë në rritje të vëmendjes nuk do ta rrisin atë në mënyrë proporcionale. Përkundrazi, është e rëndësishme të kihet parasysh me kujdes shkalla e angazhimit, dhe ajo të balancohet me mbështetjen e fëmijëve për të arritur fazat e duhura të qëndrueshmërisë  dhe pavarësisë.

Një test për këtë janë studimet mbi fëmijët e vendosur në jetimoret në Rumani. Këta fëmijë, ishin zakonisht të privuar ndjeshëm nga ndërveprimi, dashuria dhe kujdesi dhe nuk kishin mundësi të zhvillonin një lidhje të sigurt. Studimet mbi zhvillimin e tyre të mëvonshëm, zbuluan se ata kishin rezultate më të dobëta zhvillimore fizike, njohëse dhe sociale.

Këto studime janë të rëndësishme, por shumë larg nivelit të angazhimit prindëror, për të cilin shqetësohen sot shumica e prindërve. Hulumtimi që shqyrton marrëdhëniet më tipike prind-fëmijë, zbulon se kur nënat dhe baballarët janë më të lidhur dhe të përfshirë me fëmijët e tyre, përmirësohet gjendja e tyre sociale dhe emocionale.

Bisedat dhe leximi i përrallave në vitet e hershme, është shumë i rëndësishëm për aftësitë gjuhësore dhe ato të shkrim-leximit. Dëgjimi dhe mbështetja e fëmijëve për të kuptuar dhe mësuar të rregullojnë emocionet e tyre, është gjithashtu e rëndësishme për mirëqenien e mëvonshme emocionale dhe sociale.

Kuriozitet, besim dhe narcisizëm

Nga ana tjetër, fëmijët kanë nevojë edhe për hapësirë që të marrin drejtimin e duhur në rritjen dhe zhvillimin e tyre. Një prindërim shumë intensiv ose “helikopter”, ku prindërit hezitojnë ta lënë fëmijën e tyre të përjetojë aktivitete vetëm (natyrisht, kjo është e ndonjëherë pamundur, për shembull nëse fëmija ka nevoja shtesë për të mësuar), mund të rrisë rrezikun e ankthit dhe aftësive më të dobëta për të përballuar sfidat kur fëmijët e vegjël bëhen adoleshentë.

Kjo sepse fëmijët mësojnë duke pasur mundësinë të gabojnë, duke marrë përsipër rreziqe të vogla, të përshtatshme për moshën gjatë lojërave ku angazhohen, dhe duke pasur mundësinë të vendosin se në cilin aktivitet do të marrin pjesë. Kjo qasje ndërton tek ata ndjenjat e kompetencës, vendimmarrjes dhe autonomisë.

Mërzia në sasi të moderuar e inkurajon lojën aktive dhe krijuese, dhe kjo sjell rezultate shumë pozitive për zhvillimin fizik, njohës dhe social. Po ashtu është e lidhur me nxitjen e kuriozitetit. Anasjelltas, kur gjithë ecuria e ditës së një fëmije kontrollohet rreptësisht nga prindërit dhe rruga e tyre është gjithnjë e lëmuar, ata mund ta kenë të vështirë të zhvillojnë aftësitë përballuese dhe qëndrueshmërinë e nevojshme për sfidat e jetës së përditshme.

Dhe ndërsa mund të duket sikur vëmendja do ta rrisë besimin e fëmijës, ka disa prova që tregojnë se kur prindërit janë tejet të përqendruar tek fëmijët e tyre - duke e jetuar jetën e tyre përmes tyre, dhe duke ushtruar presion të fortë mbi ta, për të shkëlqyer në gjithçka që bëjnë - kjo mund të forcojë tiparet narcisiste tek fëmijët kur të arrijnë në moshë madhore.

Ndryshimi dhe përshtatja

Koha që një prind duhet të merret me fëmijën, ndryshon natyrshëm me kalimin e kohës. Teksa rriten, foshnjat dhe fëmijët zhvillohen fizikisht dhe emocionalisht, dhe prindërimi që i përshtatet këtyre ndryshimeve, shoqërohet zakonisht me rezultate më të mira.

Nuk ka kuptim ta lini vetëm dhe për periudha të gjata një fëmijë të vogël që nuk ka aftësinë për t’u kujdesur për veten, vetëm për të “inkurajuar pavarësinë e tij”. Sepse kjo sjellje ka të ngjarë të rrisë nivelet e hormonit të stresit në trurin e tyre të ri por edhe gjatë zhvillimit.

Por t’i thuash para-adoleshentëve, se duhet të argëtohen pasditeve në shtëpi, do të thotë të mbështetësh rritjen e tyre. Dhe kjo na sjell tek koncepti i njërit prej pediatërve të mi të preferuar të shekullit XX-të, Donald Winnicott, mbi “nënën mjaftueshëm të mirë“.

Winnicott kaloi shumë vite duke vëzhguar nënat dhe foshnjat e tyre, dhe arriti në përfundimin se ndonjëherë të mos qenit në gjendje për të plotësuar menjëherë nevojat e fëmijës së vogël dhe në mënyrën më të përsosur të mundshme, ishte një gjë e mirë.

Edhe pse ai besonte se përgjigjja ndaj nevojave të një foshnje ishte e rëndësishme, ai besonte nga ana tjetër se ndonjëherë duke pritur pak. Dhe kjo qasje e ndihmon një foshnjë të mësojë se edhe pse e duan shumë në familje, bota nuk është një vend i përsosur.

Kjo teori është eksploruar gjatë shumë viteve, dhe është shkruar gjerësisht mbi “prindërimin mjaftueshëm të mirë“. Së fundi, një studim mbresëlënës analizoi se sa shumë prindërit ndiheshin nën presion për të kaluar më shumë kohë duke u angazhuar me fëmijët e tyre, dhe sa kohë shpenzonin në të vërtetë duke lexuar, duke bërë sport ose duke parë televizor me ta.

Çuditërisht, u pa se nuk kishte asnjë marrëdhënie domethënëse midis prindërve që ndienin më shumë apo më pak presion, gjë që sugjeron se pavarësisht sesa kohë kaloni duke u angazhuar me fëmijën tuaj, ato ndjenja nuk zhduken asnjëherë. Ndoshta ky është edhe leksioni më i rëndësishëm.

Shumica e prindërve bëjnë mjaftueshëm (dhe nëse jeni të shqetësuar për këtë, ka të ngjarë që të bëni). Por për të gjitha gjërat që lidhen me prindërimin, ndjenjat drejtohen nga gjykimi i shoqërisë. Le ta sfidojmë këtë stereotip, dhe le ta shpenzojmë gjithë atë energji duke u shqetësuar se mos fëmijët tanë po marrin më shumë vëmendje sesa duhet.

Burimi: The Conversation. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë