Çdo kush që mban asete digjitale duhet të marrë disa hapa për sigurinë e tyre dhe ka një sërë opsionesh sipas nivelit të sigurisë. Poseduesit e kriptove duhet të jenë gjithmonë vigjilentë mbi mashtrimet dhe truket që targetojnë ato, njësoj siç do të ishin me paranë tradicionale.
Metoda më e mirë për mbrojtje varet se si një përdorues i mban asetet dhe me kë punon. Mbi 10 vite, ka pasur 126 shkelje, me vlerë 3.1 mld dollarë të kriptove. Mesatarisht, një abuzim kushton 25 mln dollarë. Bitcoin, kriptomonedha më e famshme mbetet aseti virtual më i goditur.
Ku duhet t’i mbaj asetet digjitale?
Investitorët në këto asete duhet të kenë “çelësin e tyre privat”, një fjalëkalim i gjatë që ka funksionin e PIN-it të një karte banke dhe zhbllokon aksesin në kripto. Është me rëndësi që ky kod të mos humbasë apo të harrohet. Asetet digjitale të decentralizuara nuk garantohen nga bankat dhe nuk ka mundësi rikuperimi nëse humbet fjalëkalimi. Sipas Chainanalysis, mbi 100 mld dollarë në vlerë Bitcoin janë humbur në këtë mënyrë.
Çelësi, njësoj si këto monedha, mbahet online ose në portofolat celularë të njohura si “hot wallets”. Kjo e bën punën më të lehtë për të interesuarit, këmbyesit ose brokerat. Ka shumë kripto që ofrojnë shërbime dhe offline në sistemin e tyre të transaksioneve.
Gjithsesi, kjo është mënyra më pak e sigurtë për të mbajtur kriptot, duke i lënë këto asete vulnerabël ndaj hakerimeve. Në 2014-n, MT.Gox, atëherë, platforma më e madhe e këmbimit të kriptove, falimentoi pasi humbi mbi 450 mln dollarë, shumica në Bitcoin, pasi hakerat vodhën kodet e portofolave online.
Sot, disa platforma të mëdha, si Coinbase, kanë shtuar mbrojtjen për investitorët në formën e një police sigurimi për kriptot. Nëse fjalëkalimi i një individ është marrë ata humbin përgjithmonë investimin e tyre, por nëse hakerohet kompania apo ka abuzime nga ana e tyre, sigurimi mbulon humbjet.
A ka opsione të tjera sigurie?
Po. Opsioni më i populluar është “memoria e ftohtë”,(cold storage), një pajisje që nuk është e lidhur me internetin. Hakerat përsëri do të tentojnë të hyjnë në pajisje, si kudo tjetër. Opsionet e memories së ftohtë përfshijnë USB-të fizike, kompjutera të specializuar offline ose hardware specifikë. USB-të e pa penetrueshme nga hakerat mund të kushtojnë qindra dollarë.
Platformat e kriptove ofrojnë mundësinë e një “kujdestarie ligjore” për këtë pajisje. Të tjerë shkojnë dhe përtej saj, mbajnë individë të punësuar si roje për të ruajtur kodet e portofolave.
Një kompani e tregtimit të kriptove në Anglinë e Jugut ka një bunker nëntokësore të ruajtur nga ish forcat ushtarake, sipas Forbes.
Të tjerë, përdorin biometrinë, shenja e gishtit, njohja e fytyrës, për t’i dhënë akses klientëve në asetet e veta digjitale.
A ka rreziqe të tjera?
Hakerat, përtej të gjitha mbrojtjeve, kanë mundur të shkatërrojnë kodet e sapokrijuara. Rreth 1.1 mld dollarë në kripto, janë humbur nga këto sulme.
Një vjedhje e tillë ndodhi këtë vit, në Poly Network, një kompani për tregtinë e decentralizuar që lejonte përdoruesit të transferojë token-at nga një rrjet në tjetrin. Hakerat vodhën 600 mln dollarë, ndër vjedhjet më të mëdha, për shkak të një problemi në protokoll.
Në fund, mashtrimet e kriptove mbeten krimi më i madh, nga i cili mbajtësit e aseteve digjitale humbasin fondet. Humbjet arrijnë në gati 15 miliardë dollarë gjatë dekadës së fundit, sipas Crypto Head, ose 364 milion dollarë mesatarisht për një mashtrim.
Mashtrimi më i madh i kriptove deri më tani ishte skema prej 4 miliardë dollarësh OneCoin Ponzi, e cila e kishte faturuar veten si një kriptomonedhë e re. Ruja Ignatova, themeluesja bullgare, ka qenë në arrati nga ligji që nga viti 2017, megjithëse ajo u akuzua në mungesë në vitin 2019 për mashtrim me letrat me vlerë. Vitin e kaluar, skema PlusToken Ponzi mashtroi miliona investitorë prej rreth 2 miliardë dollarësh në total, sipas Chainalysis.
Të bëhesh viktimë e një projekti mashtrues është gjithmonë e mundur kur mashtruesit janë shumë bindës dhe të sofistikuar. Por investitorët këshillohen gjithmonë që të kryejnë kujdesin e duhur dhe të eksplorojnë "letrën e bardhë" dhe dokumentacionin tjetër për çdo iniciativë të aseteve digjitale.
Burimi:Financial Times/Përshtati:Gazeta “SI”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.