Futboll

Sa shumë vuajtje për Partizanin, një gol në shtesë i dhuron fitoren e parë

Gazeta Si – Partizani e ka nisur këtë kampionat me fitore (1-0), por sa shumë ka vuajtur përballë Laçit. Një gol i shënuar në kohën shtesë nga Maget ka çliruar trajnerin Zekiç dhe të tijtë. Për të kuqtë kjo ishte ndeshja e parë, pasi ajo me Teutën u shty për shkak të angazhimit në Ligën e Konferencës nga kampionët në fuqi të Superiores.

Në pjesën e parë nuk munguan rastet nga të dyja skuadrat. Laçi iu përgjigj mirë Partizanit, ndërsa pjesa e dytë ishte e gjitha nën kontrollin e të kuqve. Goli do të vinte vetëm në shtesë, nga një goditje këndi, ku Maget devijoi saktë me kokë.

Partizani feston golin e Maget. Gazeta Si, 3 shtator 2023

Trajneri Zekiç kishte bërë disa ndryshime në formacion, duke lënë në stol Sotën, Koçijan, Hadrojin, Muratajn dhe ndonjë tjetër. Në pjesën e dytë ai shtoi forcat sulmuese, por skuadra e kuqe nuk kishte kthjelltësinë për të depërtuar në mbrojtjen e Laçit. Megjithatë, ndeshja u zgjidh dhe të kuqve u mbetet të shijojnë 3 pikët.

Skerdi Bejzade ndërkohë ka debutuar me humbje në stolin e Laçit, ku u emërua vetëm pak ditë më parë. Pas barazimit 3-3 me Erzenin, drejtuesit kurbinas bënë ndryshimin në stol, duke larguar Stavri Nicën për të marrë Bejzaden.

U luajt sot edhe ndeshja tjetër e javës së dytë, ajo mes Kukësit dhe Egnatias, ku rrogozhinasit fituan thellë, 0-4. Rezultati flet qartë për dominimin total të Egnatias, ndërsa Kukësi në dy ndeshjet e para ka pësuar plot 7 gola. Renditjen e Superiores e kryeson Skënderbeu, me 6 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë