Politike

Sa shumë ‘nëse’ për Berishën…dhe Metën

Nga vendimi i 19 Nëntorit në Gjykatën Kushtetuese për Kreun e PD rreth masës së sigurisë arrest shtëpie, në Strasburg apo një gjyq i zgjatur? A do jenë Berisha dhe Meta në listat për deputetë në 2025-ën? Po aleanca PD-LSI pas Metës në burg?

Nga Gazeta ‘Si’- Nëse në datën 19 Nëntor Gjykata Kushtetuese do të vendosë për t’i dhënë plotësisht të drejtë Sali Berishës për shpalljen antikushtetuese të procedurës së SPAK-ut për masat e sigurisë ndaj tij, çdo “nëse” tjetër, që i kufizon lirinë Berishës, bie.

Por nëse ky vendim nuk merret, kreu i opozitës jo vetëm do të drejtojë fushatën elektorale nga arresti në shtëpi, por, vendoset në dyshim serioz edhe mandati i ri i deputetit pas zgjedhjeve 2025. Kreu i opozitës i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të vendosë, nëse për masën e detyrimit të paraqitjes dhe të kufizimit të lëvizjes jashtë vendit, SPAK-u duhet të kishte marrë më parë autorizimin e Kuvendit.

Mosrespektimi i masës për detyrim paraqitje solli edhe rëndimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” për kreun e opozitës. Nisur nga ecuria e deritanishme e vendimeve të gjykatave të tjera, të cilat kanë legjitimuar kërkesën e SPAK-ut, “nëse-ja” e parë duket thuajse e pamundur. Rrëzimi i kërkesës së Berishës ose një fitore e pjesshme e tij për vetëm një nga dy masat e sigurimit, i hap rrugën disa hipotezave juridike dhe politike në lidhje me praninë e tij në Kuvendin e Shqipërisë pas zgjedhjeve të vitit 2025 dhe vlefshmërisë së mandatit të deputetit.

“Nëse” nr.1- Strasburgu

Nëse Berisha e humbet betejën me Gjykatën Kushtetuese, plotësisht ose pjesërisht, ai ka një gur tjetër rezervë për të përdorur, Gjykatën e Strasburgut. Aktualisht, kërkesa e tij për të shpallur masat e dhëna nga SPAK-u në kundërshtim me Kushtetutën, ndodhet në Strasburg. Ky është një vendim që merr kohën e vet, nëse pranohet të shqyrtohet pa kaluar më parë në sitën e Gjykatës Kushtetuese, siç është rregulli i zakonshëm.

Avokatët e kreut të opozitës dhe vajza e tij juriste, Argita Malltezi, kanë shpjeguar se kjo procedurë ekstra mund të zbatohet në çështjet si të Berishës, kur rrezikohen të drejtat politike të individit. Nëse ky skenar do të shkojë siç e dëshiron Berisha dhe Strasburgu i jep të drejtë, ai mund të jetë i lirë ndoshta në muajin e zgjedhjeve. Por ky është opsioni më optimist, pasi procedurat e Strasburgut, zakonisht, kërkojnë një kohë të gjatë deri në vendim.

A do të marrë parasysh Strasburgu se në rastin “Berisha” në lojë nuk është vetëm pjesëmarrja në fushatën zgjedhore e kreut të opozitës, por edhe mandati i tij personal si deputet në legjislaturën e re të Kuvendit të Shqipërisë? Nëse do ta shohin në këtë këndvështrim, Strasburgu mund të vendosë të përshpejtojë mekanizmin vendimarrës. Por, nëse mbizotëron idea e mospërfshirjes në zgjedhjet e një vendi tjetër, në asnjë rrethanë, Strasburgu është një kartë e djegur. Të paktën, për qëllimin afatshkurtër të pjesëmarrjes në fushatën zgjedhore dhe për vlefshmërinë e mandatit të ardhshëm të deputetit. Vetëm një fitore e plotë dhe pa vonesa në Strasburg, do të zgjidhte problemin juridik dhe politik për mandatin e Sali Berishës në vitin 2025. Përndryshe, vihet në diskutim, nëse Sali Berisha, ende nën arrest, do të mund të bëjë betimin pas marrjes së mandatit nga KQZ.

“Nëse” nr.2 – Precedenti Beleri

Nëse Strasburgu do ta japë vendimin pas shtatorit 2025, kur nis punën legjislatura e re e Kuvendit të Shqipërisë apo nëse nuk i jep të drejtë kreut të opozitës, ka shumë mundësi që të vendoset në pikëpyetja vlefshmëria e mandatit të deputetit Sali Berisha pas zgjedhjeve 2025. Këtë opsion shqetësues për opozitën e kanë vënë në dukje vetë demokratët kohë më parë. Në muajin maj, kur ishte kulmi i diskutimit për kryetarin e zgjedhur, por të pabetuar të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi, deklaroi se “izolimi i Berishës nga SPAK dhe gjykatat është një histori për të mbajtur Sali Berishën jashtë sistemit politik”.

Zoti Bylykbashi iu referua rastit “Beleri” dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që i refuzoi zotit Beleri të drejtën për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës gjatë kohës së qendrimit në arrest. Pa betim nuk mund të nisë ushtrimi i asnjë mandati dhe mosrespektimi i këtij kushti sjell humbjen e mandatit të fituar. Në analizën e Oerd Bylykbashit, vendimi u dha për të pamundësuar drejtimin e Bashkisë së Himarës nga kundërshtari politik i kryeminsitrit, por, siç thotë nënkryetari i PD-së, impakti bie mbi çdo deputet që do të zgjidhet në zgjedhjet e ardhshme.

Pra, ligji nuk e ndalon Sali Berishën të zgjidhet deputet duke qenë në arrest shtëpie, por nëse kjo gjendje vazhdon pa ndryshime, të gjitha gjasat janë që atij t’i ndalohet betimi, njësoj si Belerit, duke ia bërë të pamundur ushtrimin e mandatit të deputetit, humbjen e tij dhe përjashtimin nga Parlamenti i Shqipërisë.

“Nëse” nr.3 – Një gjyq i zgjatur

Nëse zoti Berisha do të ndjekë strategjinë për të mundësuar zgjatjen e proceseve gjyqësore dhe mosmarrjen e një vendimi të formës së prerë nga gjykata deri në shtatorin e ardhshëm dhe nëse asgjë nuk ndryshon nga gjendja aktuale, ligji i jep hapësirë që të fitojë lirinë në shtator 2025, që përkon me nisjen e punimeve të legjislaturës së re.

Pse e fiton lirinë në shtator 2025 dhe pse SPAK-u nuk mun dtë mbajë më nën arrest, nëse nuk ndryshon qendrim deri atëherë? Kodi I Procedurës Penale përcakton se nga momenti që personi merret i pandehur, masa e sigurisë ndaj tij mund të zbatohet maksimalisht edhe për një vit. Zoti Berisha u mor zyrtarisht I pandehur në 11 shtator 2024 dhe sipas akuzës që ka, masa e arrestit në shtëpi me 1 vit është maksimalja që SPAK-u mund të mbajë ndaj tij. Që ky skenar të funksionojë dhe zoti Berisha të fitojë lirinë, bashkë me të edhe lirinë për të betuar për bërjen funksional të mandatit të deputetit, duhet që gjyqi ndaj tij të mos ketë përfunduar dhe ai të mos marrë një vendim për fajësi të formës së prerë në Apel. Politikisht, ky është një skenar që i shtrin efektet pas fushatës zgjedhore, por i shpëton atij mandatin e deputetit, duke i siguruar praninë në parlament.

Po Meta?

As zoti Berisha, as zoti Meta nuk penalizohen tani nga masa e sigurisë së arrestit në shtëpi apo në burg për të patur emrat në listat e deputetëve të koalicionit opozitar. Pa një vendim për fajësi të Gjykatës së Apelit, në sytë e ligjit, ata prezumohen të pafajshëm dhe besohet se do të jenë kandidatë në listën fituese të opozitës.

Kjo do t’i çojë në dyert e Parlamentit, por a do të futen dot brenda? Nisur nga dosjet voluminoze të të dyve, nga kërkesat proceduriale që mund të bëhen gjatë shqyrtimit gjyqësor, rruga është e gjatë përpara. Në këtë rrugë, janë të destinuar të ecin të dy, si Sali Berisha, edhe Ilir Meta.  Zoti Berisha ka më shumë shanse për të mos e djegur mandatin pa nisur legjislatura e re, pasi ai ka kaluar të gjitha rrugët e gjyqësorit për masat e sigurisë. Zoti Meta nuk ka të njëjtin komplikacion për kushtetueshmërinë, pasi ai nuk ishte deputet, kur u arrestua.

Por zoti Meta sapo e ka nisur përballjen me drejtësinë. Ai është ende person nën hetim, SPAK ka të drejtë ta mbajë 1 vit në arrest me burg si person nën hetim, nëse gjykata nuk vendos ndryshe dhe, pasi hetimet të përfundojnë, SPAK ka të drejtë ta mbajë nën arrest edhe 1 vit tjetër si të pandehur. Pak a shumë si historia e Sali Berishës. Vetëm se shumë më vonë për të mbajtur shpresa për mandatin e deputetit pas zgjedhjeve 2025. Dhe të gjitha këto shpresa, llogaritje, procedura vlejnë vetëm, nëse shpallen të pafajshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë