Trashëgimi

Sa shumë mozaikë ka Shqipëria, por sa pak janë të vizitueshëm!

Nëse eksploron e gërmon nëpër Shqipëri do të mund të gjesh mozaikë dhe objekte arkeologjike me vlera të mëdha. Të paktën kështu shprehen arkeologët dhe ekspertët e tjerë të trashëgimisë kulturore. Por sa të vizitueshëm janë ata?

Mozaiku është pikturë monumentale dekorative që përfshin veprat e punuara me gurë kubikë të vegjël prej qelqi, qeramike, ose ndonjë material tjetër të qëndrueshëm me ngjyra. Sipas arkeologut Skënder Muçaj mozaikët gjenden në atraksionet më të bukura që ka vendi ynë dhe ndahen në periudha të ndryshme. “Të parët i takojnë periudhës helenistike, fundi shek.IV, por ata janë të pakta në vendin tonë. Përfaqësues i tyre është Bukuroshja e Durrësit. Është një mozaik që ka ngjashmëri me ato që janë në Maqedoninë e Veriut. Më vonë janë gjetur disa në Cakran, në Bylis, në Apoloni”, shprehet arkeologu Skënder Muçaj për Gazetasi.al.

"Bukuroshja e Durrësit"

Në periudhën e dytë, në periudhën e Perandorisë Romake në territorin e vendit tonë do të shfaqeshin mozaikët bardhezi.  

“Mozaiku bardhezi është një mozaik tepër i veçantë dhe i bukur. Të tillë janë gjetur në qytetin e Durrësit, pastaj zëvendësohen me shumëngjyrësh. Këto janë të përhapur në zona të ndryshme. Më të bukurit janë në Apoloni dhe janë dhe me tema nga mitet greke”, vijon Muçaj.

Arkeologu Skënder Muçaj

Sipas arkeologut, periudha më e pasur me mozaikë është periudha e antikitetit të vonë, dhe përgjithësisht këto mozaikë i përkasin kishave.

“Sipërfaqet më të mëdha janë në qytetin e Bylisit. Mozaikët e Bylisit janë shumëngjyrësh, të marra nga Bibla, paraqesin parajsën, jetën e apostujve. Ka lloj-lloj motivesh. Është edhe mozaiku i Butrintit që është shumë i veçantë. Të gjithë mozaikët tonë nuk janë të njëjtë, kanë tema të ndryshme”, shprehet arkeologu, ndërsa thekson faktin se “të gjithë mozaikët paraqesin më shumë idetë e kohës”.

Duke qenë se mozaikët i gjejmë në atraksionet më të bukura që ka një qendër turistike dhe i tërheqin shumë vizitorët, arkeologu vë në pah problemin më të madh të tyre se “nuk janë të vizitueshëm, pasi janë të mbuluar”.

“Pjesën më të madhe të kohës, mozaikët janë të mbuluar. Duhet të kenë një çati që t’i mbrojnë nga reshjet, ndryshe ato shkatërrohen. Në vende të tjera kanë bërë të mundur që një pjesë të mozaikëve të jenë të zbuluar. P.sh mozaiku në Ohër është i shikueshëm gjatë gjithë kohës. Një pjesë është mirë që të bëhen të shikueshëm edhe në vendin tonë. Mozaiku i Butrintit duhet të jetë i zbuluar gjithë kohës, mos të rri i mbuluar me rërë”.

Mozaiku i Butrintit

Në projektin që është në shqyrtim tani për Bylisin, me financim nga Bashkimi Europian, është futur në plan që dy nga mozaikët e saj të shikohen.

Sipas Muçajt, një investim i tillë duhet të bëhet edhe në qendra të tjera, pasi janë pjesa më interesante për vizitorët.

“Mozaikët që njerëzit i kanë parë nëpër foto, do ishte mirë t’i shikojnë nga afër. Të gjithë ata që shkojnë nëpër qendra arkeologjike, thonë pse mozaikët janë të mbuluar dhe janë të zhgënjyer nga kjo pikëpamje se thonë vajtëm atje dhe po shohim vetëm gur”, përfundon arkeologu për Gazetasi.al.

Arti i mozaikut në Shqipëri po ngacmon kujtesën, jo vetëm të atyre që puna i lidh me trashëgiminë kulturore, por edhe të vizitorëve të tjerë, pasi çdo objekt e rrënojë që gjendet evokon kujtimet e së kaluarës, duke mos lënë pas edhe nivelin artistik...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë