Analize

Sa po fiton Rusia nga lufta në Gjirin Persik dhe pse është një problem për Europën

Gjatë dy javëve të fundit, të ardhurat e Moskës kanë qenë rreth 2.4 miliardë dollarë më të larta se sa do të kishin qenë pa Luftën e Tretë të Gjirit dhe heqjen e sanksioneve mbi blerjet e naftës ruse

Gazeta Si – Gjatë javës që i parapriu sulmit të SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit të shtunën, më 28 shkurt, ministri rus i Financave, Anton Siluanov tha diçka që përndryshe mund ta kishte çuar në shkarkimin e tij.

Ose më keq. Siluanov shpjegoi se qeveria duhej të ndryshonte diçka, sepse buxhetit të Moskës i mungonin burimet.

Të ardhurat nga nafta dhe gazi në janar, ekuivalente me 5.1 miliardë dollarë, ishin gjysma e të ardhurave nga të njëjtin muaj në vitin 2025; shkurti premtoi të mbaronte në të njëjtën mënyrë dhe Rusia rrezikoi të shteronte burimet e fondit të saj sovran të pasurisë në pak më shumë se një vit, i cili supozohej të kompensonte nevojat e paplotësuara të shpenzimeve. Qëndrueshmëria e luftës kundër Ukrainës ishte gjithnjë e më shumë në dyshim.

Një miliard euro më shumë në javë për Kremlinin

Por brenda pak ditësh skenari ndryshoi. Fillimisht president Donald Trump shpalli atë që shumë e konsiderojnë si “lufta e tretë e Gjirit”.

Më pas, nëpërmjet dy urdhrave ekzekutivë, u pezulluan gradualisht disa nga kufizimet për blerjen e naftës ruse.

Për buxhetin e Moskës, kjo seri vendimesh ka pasur një efekt të menjëhershëm: vetëm në dy javët e fundit të ardhurat janë rreth 2.4 miliardë dollarë më të larta se sa do të ishin pa këtë krizë. Në praktikë, kjo përkthehet në rreth një miliard euro më shumë në javë për arkën e Vladimir Putin.

Nafta e bllokuar në det që papritur u bë e çmuar

Në momentin kur shpërthyen përplasjet në Gjirin Persik, një sasi e madhe nafte ruse ishte e bllokuar në det.

Bëhet fjalë për rreth 150 milionë fuçi që ndodheshin në dhjetëra tankerë të ashtuquajtur të “flotës në hije”, anije që përdoren për të shmangur sanksionet. Në atë moment kjo naftë ishte praktikisht stok i tepërt, i pashitur dhe i depozituar në mes të detit.

Me çmimin e atëhershëm prej rreth 39 dollarësh për fuçi, vlera e saj ishte pak më pak se 6 miliardë dollarë.

Por shumë rafineri, sidomos në Indi dhe Kinë, hezitonin ta blinin. Arsyeja ishte e thjeshtë: oferta e madhe në treg kishte ulur çmimet dhe blerja e naftës ruse sillte rrezikun e sanksioneve amerikane.

India dhe Kina rikthehen në treg

Lufta në Gjirin Persik dhe rreziku për mbylljen e ngushticës së Hormuzit ndryshuan menjëherë situatën. Frika për mungesë furnizimi në tregun global të naftës dhe rritja e çmimeve e bënë shumë më tërheqëse naftën ruse që prej javësh qëndronte në tankerë në det.

India dhe Kina nisën të blejnë sërish në sasi të mëdha

Vendimet e fundit të presidentit amerikan Donald Trump vetëm sa formalizuan atë që tashmë kishte nisur të ndodhte në treg.

Më 6 mars, Shtëpia e Bardhë pezulloi përkohësisht ndalimin për Indinë për të blerë naftë ruse. Në fakt, India tashmë kishte blerë rreth 30 milionë fuçi. Më pas pezullimi u zgjerua për një muaj për të gjitha vendet, për naftën ruse që ishte tashmë “në tranzit”.

Roli vendimtar i ngushticës së Hormuzit

Sipas Sergey Vakulenko, analist në “Carnegie Eurasia Center” dhe ish-drejtues i lartë në GazpromNeft, këto vendime nuk ndryshojnë shumë në thelb.

Sipas tij, ato janë më shumë një përpjekje e Donald Trump për të qetësuar tregjet dhe për të mbajtur nën kontroll çmimet e energjisë. Në praktikë, blerjet e naftës ruse nga Kina dhe India kishin rifilluar edhe pa këto vendime.

Por ajo që ka vërtet rëndësi për Rusinë është vetë lufta dhe rreziku që trafiku në ngushticën e Hormuzit të ndërpritet.

Nafta ruse po afrohet me çmimin e naftës Brent

Ndërprerja e furnizimeve nga Gjiri Persik ka dy pasoja të drejtpërdrejta për tregun e naftës. Së pari, rrit çmimin global të naftës. Së dyti, e bën naftën ruse shumë më të kërkuar në treg.

Për muaj të tërë, nafta ruse shitej shumë më lirë se referenca ndërkombëtare Brent. Në disa raste diferenca arrinte deri në 25 dollarë për fuçi, që do të thotë se nafta ruse shitej edhe nën 35 dollarë. Tani kjo diferencë është ngushtuar ndjeshëm dhe ka rënë në rreth 13 dollarë për fuçi.

Më shumë para për luftën në Ukrainë

Për buxhetin rus kjo është një lajm shumë i mirë. Sistemi fiskal rus nuk varet aq nga sasia e naftës që shitet, por nga një taksë që lidhet me çmimin e tregut për çdo fuçi të nxjerrë.

Çdo rritje prej 10 dollarësh për fuçi i sjell ekonomisë ruse rreth 2.8 miliardë dollarë më shumë në muaj. Nga kjo shumë, rreth 1.6 miliardë dollarë shkojnë direkt në buxhetin e shtetit.

Duke parë rritjen mesatare të çmimeve në dy javët e fundit, Kremlini ka aktualisht rreth 2.4 miliardë dollarë më shumë për të shpenzuar. Kjo është një shumë që mund të përdoret edhe për të financuar luftën në Ukrainë.

Deri në 60 miliardë dollarë më shumë në një vit

Nëse kjo situatë do të vazhdonte për një vit të plotë, përfitimi për Rusinë mund të arrinte rreth 60 miliardë dollarë.

Një shumë e tillë mund të ndikojë seriozisht në aftësinë e Moskës për të vazhduar luftën në Ukrainë.

Për këtë arsye, kohëzgjatja e krizës në Gjirin Persik dhe çdo bllokim i ngushticës së Hormuzit mund të bëhet faktor vendimtar.

Sa më gjatë të zgjasë kriza në atë rajon, aq më shumë para do të hyjnë në arkën e Rusisë. Dhe aq më shumë burime do të ketë Kremlini për të vazhduar luftën kundër Ukrainës.

Burimi: “Corriere della Sera”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë