Nga rimbursimi i barnave për COVID-19 të paktën deri në fund të marsit kanë përfituar vetëm 10% e shqiptarëve të infektuar. Ky rezultat ka dalë duke u bazuar te të dhënat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë. Nga data 19 nëntor e vitit të shkuar, kur Ministria njoftoi se trajtimi ambulator do të rimbursohet deri në datën 31 mars të vitit 2021, në total janë infektuar rreth 71,483 persona, ku prej tyre janë kuruar në spital rreth 908 pacientë që nuk marrin rimbursim të medikamenteve.
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FSDKSH) konfirmoi për Gazetasi.al se deri më tani janë lëshuar 7.056 receta me rimbursim, pjesë e paketës anti-Covid (për gjendje të lehtë dhe të moderuar sipas gjykimit të mjekut të familjes).

Por pse shifra e rimbursimit është kaq i ulët?
Në biseda me qytetarë të ndryshëm në qytetin e Tiranës, Gazetasi.al konstatoi se ata janë shumë pak të informuar mbi rimbursimin e trajtimit ambulator.
“Për të kuruar Covid-19 kam harxhuar rreth 70 mijë lekë të reja por nuk jam interesuar për rimbursimin. Kam folur gjithë kohës me mjekun e familjes çfarëilaçe me duheshin por deri tani nuk e kam marrë rimbursimin, nuk di si bëhet”, i tha Gazetasi.al Lulëzimi një djalë i i rreth të tridhjetave që e takuam rastësisht në një nga rrugët e Tiranës.
“Nuk më ka thënë doktori të bëj rimbursimin. Sa lekë merr nga rimbursimi? Se di sa mund të marr se unë kam harxhuar shumë,” tha Lazimja, një tjetër qytetare.
Njëjtë si të tjerët edhe Lazimja kishte harxhuar një shumë të konsiderueshme parash për trajtim në shtëpi. Ajo i tha Gazetasi.al se gjendja e saj ishte konsideruar e moderuar nga mjeku i familjes, ndërkohë që fatura e harxhimeve i kishte shkuar mbi 1 milion lekë, medikamentet plus analizat që të cilat i kishte bërë në një spital privat.
“Ilaçet i kam marrë të gjitha si më ka thënë mjeku i familjes, pavarësisht se analizat i bëra në privat se nuk prisja dot radhë në shtet. Po as unë nuk jam interesuar dhe as mjeku nuk më ka thënë për rimbursimin. Pastaj sa lekë do marr?,” tregoi më tej qytetarja për Gazetasi.al.
Ndërkaq mjekët e qendrave shëndetësore në Tiranë i konfirmuan në konfidencialitet Gazetasi.al se janë tëngarkuar me personat që trajtojnë dhe shpesh e harrojnë rimbursimin. Ata thonë se nëse qytetarët e kërkojnë rimbursimin fillojnë me aplikimin, në të kundërt mjekët nuk i thonë.
Më tej në rrugën e zonës së Bllokut një sërë qytetarësh kishin edhe e kishin neglizhuar skemën e rimbursimit pasi ishte tepër e ulët.
“Të them të drejtën unë pata prindërit me Covid-19 dhe jam marrë gjithë kohës me trajtimin e tyre por për 10 mijë lekë që jep shteti, as i jam futur atij muhabeti fare,” tregoi Elidoni një ri nërrugët e zonës së Bllokut i cili i shpjegoi Gazetasi.al se nuk i vlen mundi për aq pak lekë dhe shifra e marrë nuk krahasohet me shifrën e dhënë.
Përveç këtyre i riu shtoi se prindërit i ka pasur në gjendje të rëndë dhe nuk kishte kohë të priste sa të dilte rimbursimi.
Por si kryhet rimbursimi i barnave të Covid-19 për trajtimin ambulator?
FSDKSH i shpjegoi Gazetasi.al se rimbursimi duhet të bëhet nëpërmjet aplikimit në e-Albania për recetën anticovid. FSDKSH shton se aplikimi bëhet para se të merren medikamentet në farmaci. Pacienti bën aplikimin nëpërmjet portalit e-Albania dhe, pasi konfirmohet nga mjeku i familjes, është ky i fundit (mjeku i familjes) që gjeneron recetën për Covid-19 ne sistemin e recetës elektronike për të dhe që me pas ekzekutohet në farmaci.
Në përcaktimin e paketave të rimbursimit trajtimi ambulator në banesë tek të infektuarit parashikon rimbursimin 100% të formës së lehtë dhe të trajtuar të modelimit. Më herët është shpjeguar nga Ministria e Shëndetësisë se ka tre paketa fikse për rimbursimin e barnave ku minimalja shkon rreth 120 mijë lekë dhe rimbursimi ështërreth 16 mijë lekë. Këto janë shifrat e shpjeguara sipas Ministrisë së Shëndetësisë, sepse në komunikim me njerëzit Gazetasi.al konstaton se shifra e trajtimit është shumë herë më e lartë. Gjithashtu edhe sipas një analize të fundit nga organizata “Together for Life”, trajtimi për fazën e lehtë të sëmundjes shkon rreth 3 mijë lekë të reja në javë, ndërsa për fazën e dytë kërkohen minimalisht 43 mijë lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)






