Treg

Sa më të arsimuar, aq më pak papunësi, por ky nuk është rasti i Shqipërisë

Sipas parimit të përgjithshëm, sa më i përgatitur të jesh, aq më i kërkuar je nga tregu i punës. Rrjedhimisht, sa më i lartë të jetë niveli arsimor, aq më e ulët është papunësia. Ky është rasti i vendeve të Bashkimit Europian, por jo rasti i Shqipërisë.

Teksa në nivelin e BE-së, sipas Eurostat, shkalla e papunësisë për personat që kanë një nivel arsimor të ulët në 2018-ën ishte 12.5% dhe 3.9% për ata me arsim të lartë (pas shkollës së mesme), në Shqipëri sipas INSTAT për personat me arsim të lartë, pati një rritje të shkallës së papunësisë me 0,3 pikë përqindje.

Në vitet 2013-2018, shkalla e papunësisë për grupmoshën 15-64 vjeç vazhdon të jetë më e lartë për personat me arsim të mesëm, 14,3 % ndjekur nga ata me arsim të lartë, 14,0 %. Me një hendek të pakonsiderueshëm.

Gjatë vitit 2018, krahasuar me vitin e mëparshëm, pati një rënie të shkallës së papunësisë për personat me arsim 8/9 vjeçar me 2,4 pikë përqindje dhe për personat me arsim të mesëm me 1,2 pikë përqindje.

Hendeku i shkallës së papunësisë për këto dy nivele arsimore (arsim të mesëm dhe të lartë) në BE është zgjeruar nga 2002 në 2018, nga 5.8 pikë përqindjeje (p.p.) në 8.6 p.p.
Mes vendeve anëtare të BE-së, hendeku ishte veçanërisht i theksuar në vitin 2018 në Sllovaki (24.8 p.p.), Lituania (16.4 p.p.) dhe Letoni (13.3 p.p.), ndërsa hendeku ishte më i ngushti në Qipro dhe Portugali (të dyja 2.2 p.p.).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë