Ekonomi

Sa më pak bebe shqiptare aq më të varfër

Raporti i fundit nga Qendra e Kërkimeve të Ekonomisë dhe Biznesit, CEBR, tregon se situata jo shumë e qëndrueshme ekonomike e Shqipërisë gjatë dy viteve të fundit ishte ndikuar nga ulja e nivelit të lindshmërisë, rreth 5 vite më parë, në vitin 2016.

Ky fenomen ka vazhduar edhe pas vitit 2016, ku deri në statistikat e fundit vjetore, në 2020-n, lindshmëria ka rënë më 12%, për të ndikuar përsëri në rezultatet afatgjata të ekonomisë. 

Sociologu Gëzim Tushi thotë për Gazetasi.al se ky proces do të vazhdojë pa ndalur derisa Shqipëria të ketë “një shoqëri me thinja të bardha”.

“Ulja e numrit të lindjeve ka ndikuar dhe do të vazhdojë të ndikojë drejtpërdrejtë në rënien e fuqisë punëtore dhe mungesës së profesioneve të caktuara. Shqipërisë i mungojnë breza të tërë specialistët. Këto vende mbushen më pas me punëtorë të ardhur nga India apo Bangladeshi.”

Z.Tushi shton se lindshmëria e ulët do të ndikojë dhe në sektorët financiarë, siç është ai i skemës së pensioneve.

“Në fakt krisja e parë ka ndodhur, ku pensionet buxhetohen nga qeveria, sepse është prishur raporti i kontributeve të derdhura nga jo-pensionistët,”- shpjegon sociologun, duke shtuar se tashmë pothuajse 20% e popullsisë totale i përket moshës së plakur dhe kjo përqindje nuk është vetëm problem demografik.

Në vitet 1990, z.Tushi tregon se ka pasur mbi 1 milionë fëmijë të moshës shkollore në Shqipëri,  ndërsa momentalisht ka vetëm rreth 400 mijë.


Gëzim Tushi, Sociolog

Sipas tij, kostoja që kërkon një foshnje për t’u rritur është një ndër faktorët që i pengon çiftet të dëshirojnë lindjen e një fëmije. Ai citon Tony Blair kur thotë se “të drejtosh një shtet është më e lehtë se të rrisësh një fëmijë”.

Bashkë vështirësitë dhe përgjegjësitë, Tushi cilëson emigracionin dhe largimin e moshës riprodhuese jashtë Shqipërisë si shkak kryesor të lindjeve të pakta.“ Emigrantët i bëjnë fëmijët diku tjetër dhe jo në Shqipëri”.  

Sociologu liston si shkaqe shoqëruese prirjen e familjeve drejt modernitetit dhe përkushtimin ndaj karrierës, planifikimin familjar që ka ulur shtatzënitë aksidentale dhe rritja masive e aborteve.

Për të, mënyra më e mirë për të stimuluar lindjet dhe shtimin e popullsisë është motivimi me përmirësimin e fushave të tjera sociale, si rritja e mirëqenies në shkolla dhe institucione. Rritja e pagave, hapja e vendeve të punës si dhe ndihma ekonomiko-sociale për prindërit e rinj.

“Ndonëse bonusi i bebes i ofruar nga qeveria duket qesharak për disa, është hapi i parë drejt kësaj problematike. Nuk mund të bëhet me thirrje qeverie lindja e bebeve, por duhen masa konkrete. Kostoja për një fëmijë nuk është vetëm përgjegjësi e familjes, por edhe e shtetit.”

Nga të dhënat, viti 1990 pati shifrën më të lartë të lindjeve në Shqipëri, mbi 82 mijë të tilla. Kjo shifër u përgjysmua në vitin 2004, kur lindshmëria ra në 40 mijë foshnje në vit, për të shkuar në 350.760 në vitin 2014 që është shifra më e lartë e 15 viteve të fundit. Në vitin 2020, janë regjistruar vetëm 28.075 lindje për të gjithë vitin. Statistikat e vitit 2021 nuk janë publikuar ende të plota, por për tre tremujorët e parë të vitit janë regjistruar 19.403 lindje.

Në fund të vitit 2021, shumë shtete, përfshirë SHBA-në dhe Kinën publikuan të dhënat mbi “recesionin e bebeve” me të cilin ata po përballeshin për shkak të plakjes së popullsisë dhe numrit të ulët të lindjeve.

Ndonëse, deri shumë vonë ulja e numrit të popullsisë me anë të uljes së lindshmërisë shihej si një objektiv pozitiv po me pasoja të tilla. Sipas gazetës europiane “VOX”, po rezulton e kundërta.

Pakësimi i numrit të popullatës, mban peng rritjen ekonomike të vendeve, implementimin e inovacioneve, do të rrisë më tepër çmimet e pronave të patundshme dhe mbi të gjitha, do të pengojë luftën kundër ndryshimeve klimatike. Çështje që fillimisht motivoi uljen e lindshmërisë.

Nëse lindjet e pakta 6 vite më parë ndikuan stabilitetin ekonomik të viteve 2020-2021, atëherë lindjet e pakta të 6 viteve të tjera do të japin të njëjtat rezultate, ndoshta dhe për më shumë se vetëm 6 vite.

Referuar raportit të lartpërmendur, CEBR, Shqipëria do të ketë rënie të rritjes ekonomike për rreth 15 vitet e ardhshme. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë