Kosova

Sa kapacitete ka Kosova për të strehuar refugjatë?

Institucionet e Kosovës janë deklaruar se janë duke bërë përgatitjet e duhura logjistike e teknike, por edhe të sigurisë dhe sociale për strehimin dhe mbrojtjen e qytetarëve nga Afganistani.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja, mirëpo që tani ndihen të pasigurt pasi vendi është marrë nën kontrollin e talibanëve.

Deri më tani ende nuk dihet se sa do të jetë numri i afganëve që do të qëndrojnë në Kosovë, derisa të përfundojnë procedurat e vizave amerikane. Kryeministri Albin Kurti tha të martën se detajet e strehimit të qytetarëve të Afganistanit në Kosovë janë duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara.

Ekipi nga Kosova, i përbërë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe shefin e kabinetit të kryeministrit, Luan Dalipi, tha Kurti, janë në diskutime me partnerët dhe aleatët amerikanë lidhur me çështjen e strehimit të afganëve.

“Kosova ka SHBA-në aleaten kryesore dhe partneren strategjike të pazëvendësueshme. Çështja e strehimit të refugjatëve nga Afganistani, përveç aspektit të solidaritetit humanist nga ana jonë, e ka gjithashtu dimensionin e aleancës dhe partneriteti me SHBA-në. SHBA-ja na kanë mbështetur dhe përkrahur në vazhdimësi dhe kjo është vetëm një pjesë e vogël e kontributit tonë përkundër ndihmës dhe mbështetjes së madhe për popullin tonë”, tha Kurti.

Dy qendra të azilkërkuesve

Kosova ka dy qendra të azilkërkuesve një në Magurë të Lipjanit dhe një në fshatin Vranidoll të Komunës së Prishtinës.

Këto dy qendra kanë kapacitet të vogël dhe në kushte optimale mund të pranojnë jo më shumë se deri në 100 persona.

Si vend i mundshëm i strehimit është përmendur Parku i Inovacionit dhe i Trajnimeve në Prizren, i cili në të kaluarën kishte shërbyer si kamp ushtarak gjerman.

Ish-kampi ushtarak gjerman përbëhet ka një sipërfaqe prej 40 hektarë dhe me 52 ndërtesa. Izmi Zeka, ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme shprehet se në kohën kur ai ishte në këtë ministri në vitin 2019, kishte punuar për përshtatjen e disa objekteve për refugjatët.

Zeka thotë se Kosovë ka kapacitet për strehim të refugjatëve jo më shumë se 3.500 persona.

“Në kushte optimale deri në 3.500 persona do ta ketë mundësinë për t’i pranuar. Kjo është llogaritur në raste të jashtëzakonshme”, thotë ai.

Kosova, shton Zeka, me kapacitet e saj mund të pranojë refugjatë, por jo për kohë të gjatë, por të shkurtër, si vend transit dhe pastaj ne bashkëpunim me Bashkimin Evropian apo Shtetet e Bashkuara të vendoset për më tutje.

Kosova nuk ka pasur deri me tani numër të madh  refugjatësh, por vendi kryesisht përdoret si transit për në vende të ndryshme të Evropës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë