Kosova

Sa kanë shpenzuar qytetarët e Kosovës për viza drejt BE-së?

Në janar të vitit 2012, Komisioni Evropian i BE-së nisi zyrtarisht dialogun me Kosovën për procesin e liberalizimit të vizave. Që nga nisja e këtij dialogu e deri në fund të vitit 2021, kosovarët kanë parashtruar 659.029 aplikime për vizë Schengen, sipas të dhënave të Komisionit Evropian.

Parlamenti Europian voton sot(18 prill) vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Sipas të dhënave të Grupit për Ballkanin (BRPG), 60% e kosovarëve kanë kërkuar vizë Schengen, që mundëson lëvizjen e lirshme në vendet e BE-së, për vizita turistike. Interesimi i kosovarëve për të vizituar vendet e BE-së kishte qenë në rritje deri në vitin 2020, kur trendi ndryshoi për shkak të COVID-19.

Sipas një hulumtimi të bërë nga BRPG-ja, qytetarët e Kosovës kanë paguar mesatarisht 165 euro për aplikimin për vizë Schengen. Kjo kosto arrin shifra prej dhjetëra miliona eurosh kur merret parasysh numri i aplikimeve në vit.

Po i njëjti hulumtim i BRPG-së thekson se kosovarët kanë pritur mesatarisht nga një deri në gjashtë muaj deri në përfundimin e procedurës për vizë në zonën Schengen. Përveç kësaj pritjeje, kosovarët janë ankuar edhe për pritje të gjata në rend për dorëzimin e dokumenteve.

Por, me gjithë pritjet e gjata dhe paratë e shpenzuara gjatë aplikimit, një numër i aplikuesve është përballur me përgjigje negative./ REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë