Irena Beqiraj

Sa ka qenë rritja reale e pagës mesatare në sektorin privat dhe publik?


Në 7 prill 2023 ministrja e Financave e asaj kohe, Delina Ibrahimaj, na dha lajmin e mirë se brenda vitit 2024 pagat në sektorin publik do të rriteshin duke e çuar pagën mesatare në sektorin publik 900 euro.

Lajmi “paga mesatare 900 euro “u përsërit në daljet publike të znj.Ibrahimaj në maj edhe qershor 2023 si për të na i ngulitur këtë shifër njëherë e mirë në mendje.

Pasardhësi i saj, z. Mete, në mungesë të ndonjë politikë tjetër për t’u krenuar nuk përtoi dhe e përsëriti lajmin e “pagës mesatare 900 euro” në tetor 2023, nëntor 2023, janar 2024, prill 2024 edhe qershor 2024. Plot pesë dalje publike me po të njëjtin sihariq.

Megjithëse e mori vesh i madh e i vogël, se paga mesatare në sektorin publik do të ishte 900 euro “e ardhmja e PS -së” Helena Kaci, akoma e ngatërronte “pagën mesatare 900 euro me pagën minimale”. Kështu që kusuri ynë të dëgjonimin sërish ministrin e ri të Financave z.Malaj me njoftimin  se “paga mesatare shkon 900 euro”  në shtator 2024, nëntor 2024 edhe dhjetor 2024, por jo vetëm kaq, ajo kishte ishte rritur nga 900 euro 986 euro .

Kaq mjaftoi dhe zemra i gufoi nga gëzimi kryeministrit, i cili shifrën 986 euro e  cilësoi “ tejkalim  të ambicies qeveritare, që padyshim do të reflektohet ndjeshëm në të ardhmen në pagat e sektorit privat”!

1) Tejkalim i ambicies qeveritare ?

Sot paga mesatare në sektorin publik është  96.850 lekë. E konvertuar në euro me kursin e këmbimit euro lek të prillit 2023 (1 euro = 113 lek), kur qeveria  shpalli  "ambicien" për të rritur pagat , paga mesatare prej 96.850  lekë  do të ishte vetëm  857 euro , pra më pak sesa u premtua. Në fakt, është  zhvlerësimi i mëtejshëm  i euros e cila sot vlen 98 lek që  96. 850 lekë të konvertohen në 986 euro .

 Pra "tejkalimi i ambicies" nuk është gjë tjetër veçse efekt i zhvlerësimit.

2)  Reflektimi në pagat e sektorit privat ka ndodhur tashmë!

Paga mesatare në sektorin publik në vitin 2013 ishte 52.150 lekë. Nëse ajo do të  indeksohej çdo vit me normat e inflacionit ajo sot pa rritjen do të duhet të ishte 68.400 lekë .

Pra rritja reale e pagës mesatare në sektorin publik nuk është 230% sa pretendon ministri i Financave, por vetëm 41%.

Paga mesatare në sektorin privat në vitin 2013 ishte 38.000 lekë. Nëse ajo do të indeksohej çdo vit me normat e inflacionit ajo sot duhet të ishte 49.780 lekë. Fakti që paga mesatare në sektorin privat  është 69.000 lekë rezulton se rritja reale e pagës mesatare në sektorin privat  është 38.6% .

E pra qeveria krahasuar me vitin 2013 ka bërë një rritje reale të pagës mesatare me 41% por edhe  sektori privat nuk ka mbetur mbrapa. Që prej vitit 2013 sektori privat ka bërë një rritje reale të pagës mesatare me 38.6% edhe për më tepër ndryshe nga qeveria e ka bërë atë gradualisht.

Duhet thënë se shumë "ambicie qeveritare"  janë arritur e tejkaluar nga zhvlerësimi i euros,  zhvlerësim i cili ka rënduar gjendjen financiare të sektorit privat. Megjithatë në heshtje sektori privat e ka rritur pagat reale më gradualisht  edhe se qeveria . Por ndryshe nga kryeministri edhe ministrat e tij sektori privat nuk u bie daulleve të propagandës.


Copyright © Gazeta “Si”