Gazeta Si – Ka shumë sfida me të cilat përballet Leoni XIV si Papa i ri. Përveç detyrës për mbledhjen e trashëgimisë shpirtërore të Papa Françeskut, Papa i ri do të merret edhe me administrimin e Vatikanit dhe në veçanti me llogaritë ekonomike (në humbje) të Selisë së Shenjtë, e cila vuan një deficit strukturor prej mbi 70 milionë euro në vit, sipas vlerësimeve të fundit të publikuara në shtyp.
Të ardhurat
Vlera e aseteve të Selisë së Shenjtë është afërsisht 4 miliardë euro. Por në çfarë të ardhurash mund të mbështetet ai?
Të ardhurat e Muzeve të Vatikanit, ato që rrjedhin nga flukset turistike në Shën Pjetër, të drejtat për librat dhe botimet e tjera të Papës, portofolin e APSA, ose Administratën e Trashëgimisë së Selisë Apostolike, organi që administron pronat e Selisë së Shenjtë në Itali dhe jashtë saj, dhe të ardhurat e IOR, Bankës Papale.
Asetet e pasurive të paluajtshme
Shumica e të ardhurave të Vatikanit vijnë nga vlerat e tij falë pasurive të paluajtshme, të cilat i lejuan APSA-së të mbledhë një fitim prej 35 milionë euro në vitin 2023 kundrejt të ardhurave prej 73.6 milionë.
Selia e Shenjtë zotëron mbi 5.000 ndërtesa, për një sipërfaqe totale prej përafërsisht 1.5 milion metra katrorë.
19.2% e pronave jepen me qira me çmime të tregut të lirë; 10.4% me një normë të subvencionuar; 70.4% me qira zero.
Faturat e Selisë së Shenjtë
Vatikani nuk ka publikuar një deklaratë të plotë financiare që nga viti 2022. Në atë vit, pasuritë e paluajtshme gjeneruan 65% të të ardhurave prej 770 milionë eurosh (875 milionë dollarë) të Selisë së Shenjtë.
Një tjetër 30% vjen nga donacionet, të cilat kanë mbetur relativisht të qëndrueshme gjatë dekadës së fundit, mesatarisht rreth 45 milionë euro (51 milionë dollarë) në vit.
Dhe 5% e mbetur erdhi nga IOR. Për dy vitet e fundit ka vetëm vlerësime jozyrtare. Sipas gazetës “La Repubblica”, një deficit prej 87 milionë euro vlerësohej për vitin 2024, por në fund të vitit ishte rreth 70 milionë euro. Për sa i përket vitit aktual, sipas asaj që raporton “Milano Finanza”, si IOR ashtu edhe APSA duhet të mbyllin buxhetin me rritje.
Në veçanti, “për veprat bamirëse të Papës, pritet një kontribut më i lartë se 13,6 milionë i vitit 2023 (kur u mbyll me 30,6 milionë fitime)”, shpjegon “Mf”.
Burimet
Një nga burimet më të rëndësishme të të ardhurave të Selisë së Shenjtë është i ashtuquajturi “Peter’s Pence”, pra ofertat që katolikët nga e gjithë bota i dhurojnë Vatikanit më 29 qershor të çdo viti.
Sipas vlerësimeve, këto oferta do të kishin gjeneruar të ardhura prej rreth 52 milionë euro në vitin 2023.
Reformat e Françeskut
Papa Françesku ka revolucionarizuar financat e Vatikanit duke promovuar transparencë më të madhe dhe shkurtuar shumë shpenzime.
Por kjo nuk mjaftoi për të rivendosur llogaritë. Në veçanti, Bergoglio ka rinovuar thellësisht IOR, i cili në vitet e fundit ka përfunduar shpesh i përfshirë në skandale të papërshtatshme, duke miratuar rregullore evropiane kundër pastrimit të parave dhe duke futur një auditor të jashtëm për të verifikuar bilancet sipas standardeve të njohura ndërkombëtare.
Më tej, pas skandalit të pallatit londinez dhe menaxhimit të diskutueshëm të fondeve të Selisë së Shenjtë nga Imzot Angelo Becciu, Papa Françesku e bëri APSA qendrën financiare të Vatikanit, duke i besuar institucionit edhe pronat e menaxhuara më parë nga Sekretariati i Shtetit.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.