Nga Gazeta Si - Në tetor të 2023, Shkurte Fejza çoi peshë zemrat e tifozëve në stadium para ndeshjes Shqipëri-Çeki me këngën “Mora Fjalë”, këngë që i kushtohet komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari.
Kjo këngë prej kohësh është kthyer në një himn sa herë luan Shqipëria, duke u kënduar në kor nga tifozët. Por kjo nuk ka ndodhur në ndeshjet e fundit në stadiumin Air Albania pasi “Mora Fjalë” është ndaluar të këndohet. Sipas informacioneve të Gazetasi.al, nuk ka një vendim zyrtar nga UEFA për ndalimin e këngës në stadium por çdo herë që kjo këngë është kënduar, Federata Shqiptare e Futbollit është gjobitur. Madje burime jozyrtare shprehen se edhe tifozët janë udhëzuar që të mos e këndojnë në stadium.
Udhëzimet kryesore të UEFA-s dhe FIFA-s kanë të bëjnë me ndarjen e sportit nga politika, apo mospërfshirjen e politikës në mesazheve të tilla në mjedise sportive, që në grupime të ndryshme, jo rrallëherë kanë pasur sponsorizime, kryesisht në vendet lindore të Europës për të shfrytëzuar audiencën e sportit më të ndjekur në botë, futbollit.
Kështu orientimet mbeten të vazhdueshme për të mbajtur futbollin të papërfshirë ndaj atyre situatave që nuk i përket, të tilla janë edhe futjet e tifozëve në fushë, që regjitë ndërkombëtare nuk i trasmetojnë më, dhuna e tifozëve nëpër tribuna që nuk trasmetohen, ndërprerjet e ndeshjeve nga faktorë të jashtëm që përpiqen të marrin këtë vitrinë audience për mesazhe të caktuara, sigurisht nuk trasmetohen, pasi në bazë të studimeve krijojnë precendente dhe nxitje për t’u përsëritur.
“Mesazhe provokative”
“Gjobitet Federata Shqiptare e Futbollit për trasmetim të mesazheve provokative dhe jo konform aktivitetit sporti”… Ky është mesazhi dhe masa disiplinore që vjen pas çdo ndeshjeje nga UEFA, shoqëruar me një shifër të majme financiare, qoftë për përmendjen e UÇK-së, parrullave të tilla si “Kosova është Shqipëri”, “Çamëria”, apo mesazhe të ngjashme krejt normale për ne, pasi janë tonat, por jo për organizatorët që kërkesat politike nuk i rekomandojnë në stadium, për t’i dhënë vëmendje një ngjarjeje në dëm apo përfitim tonin, që nuk lidhet me futbollin.
Ashtu u gjobit edhe Federata e Rumanisë për thirrjet në stadium: “Serbia, Serbia”… apo edhe Federata Serbe për thirrjet: “Vritini shqiptarët”, apo “Kosova është Serbi” në ndeshjen ndaj nesh në 2014 apo edhe kudo që i shfaqin.
Orientimet e organizmave ndërkombëtare të tilla si UEFA, sipas burimeve konfidenciale të Gazetasi.al, nuk janë për të larguar, apo afruar një këngë të caktuar, parësore është mostrasmetimi i mesazheve jo të përshtatshme për futbollin, dhe më pas kërkesa teknike të vendosura ndërkombëtarisht për muzikën e stadiumeve që lidhen me ritmikën, mesazhet rinore dhe të gëzueshme.
Kënga “Mora Fjalë” vërtet u përcoll nga tifozët dhe më pas u përfshi në euforinë e entuziazmit të rezultateve që na kualifikuan për në Euro 2024, por përpos ciklit të ezaurimit, si shumë këngë paraardhëse, ka pasur edhe një papërshtatshmëri me kërkesat që sektorët e eventeve të UEFA-s rekomandojnë.
Si rrjedhojë në listën prej katër këngësh që i janë dorëzuar UEFA-s, për këngët, duke përfshirë këtu edhe të drejtët e autorit dhe lejen e përdorimit, rekomandimi i përzgjedhur ka qenë për tjetër këngë, duke u munduar të shmangen mesazhet e papërshtatshme që tifozët vazhdojnë i përdorin në stadium dhe për të cilat ne jemi gjobitur gjithmonë, qoftë për një parullë, foto, apo thirrje e gjykuar si patriotike për ne, por për ndërkombëtarët e papranueshme për mjediset sportive dhe pa lidhje me futbollin.
Sipas rregullave, një federatë gjobitet nëse në stadium ka këngë, kore, thirrje, imazhe apo figura nacionaliste apo raciste.
Ishte shtatori i vitit 2023, kur grupime të tifozëve e kënduan këtë këngë, kryesisht ata që vinin nga Kosova, dhe bashkë me ta edhe lojtarët tanë, duke i dhënë kombëtares sonë një tjetër “himn” tifozësh dhe stadiumit, që pak nga shqiptarët e Shqipërisë e dinin.
Mentaliteti 'politik' i stadiumit
Shpesh, stadiumet në të gjithë botën dikur janë shfrytëzuar edhe si një liri sociale, ku mund të thuhet e vërteta me zë, e kamufluar me turmën, për t’iu shmangur herëpasherë përndjekjeve. Kjo kryesisht ka ndodhur me vendet lindore, komuniste, apo vendet diktatoriale. Në Ballkan, përshembull gjithkush e mban ende mend se shpërbërrja e vetë ish-Jugosllavisë nisi në Stadiumin Maksimir të Zagrebit, ku Dinamo duhej të priste më 13 maj 1990 liderin e kampionatit të Jugosllavisë, Crvena Zvezda, por ndeshja nuk u luajt për shkak të trazirave të tifozëve.
Dikur edhe në Shqipëri qytetarët, vetëm në stadium mund t’i shmangeshin deri diku arrestimit, edhe pse dëgjoheshin ofendime, apo thirrje indirekte kundër pushtetit dhe politikës, që në ato vite diktature, konsideroheshin as më pak dhe as më shumë, si propagandë dhe dënimi vinte për agjitacion e propagandë.
Por edhe pse vitet kanë kaluar, kanë ndodhur ndryshime të sistemeve politike, qoftë në vendet lindore dhe ato ballkanase më tepër, pak duket se ka ndryshuar nga “mentaliteti politik i stadiumit”.
'Përplasjet' e fundit
Hera e fundit që Shqipëria është përfshirë në një debat për thirrjet në stadium ka qenë në Euro 2024 kur UEFA-s iu kërkua të ndërmarrë veprime pasi tifozët në një ndeshje të Euro 2024 midis Kroacisë dhe kombëtares së Shqipërisë në Hamburg u bashkuan në tribuna për të brohoritur sloganin "Vritni Serbët", i cili mund të dëgjohej qartë në transmetimet televizive.
UEFA kishte gjobitur tashmë federatat shqiptare dhe serbe të futbollit pasi tifozët shfaqën pankarta nacionaliste dhe në dy ndeshje të tjera.
Në ndeshjen e tyre kundër Italisë, tifozët shqiptarë shfaqën një pankartë me hartën e Shqipërisë së Madhe. Federata Shqiptare e Futbollit u gjobit me një total prej 37,375 eurosh dhe më pas paralajmëroi tifozët që të sillen mirë në Euro 2024.
“Federata e Futbollit i bën thirrje të gjithë tifozëve shqiptarë që të sillen me përgjegjësi, për të shmangur incidente të tilla që mund të sjellin gjoba financiare dhe dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe futbollit shqiptar. Federata u kujton tifozëve se mesazhet jo sportive, politike, etnike, etj, nuk lejohen gjatë ndeshjeve”, thuhej në deklaratën e federatës.
Në ndeshjen e Serbisë kundër Anglisë, tifozët serbë shfaqën një pankartë që tregonte Kosovën si pjesë e Serbisë me sloganin "Nuk Dorëzohemi". Federata e Futbollit të Kosovës u ankua edhe në UEFA, duke thënë se tifozët serbë shfaqën “mesazhe politike dhe raciste kundër Kosovës” në ndeshjen kundër Anglisë. Federata Serbe e Futbollit u gjobit me 10 mijë euro nga UEFA.
A do ta këndojnë më tifozët?
Në një intervistë për Top Channel, artistja Shkurte Fejza e quajti këtë vendim të pakuptimtë, pasi qëllimi i asaj kënge është për një figurë historike për Kosovën dhe Shqipërinë.
“Unë jam ndjerë shumë e nderuar që më kanë ftuar të këndoj në stadium dhe ka qenë një përjetim i jashtëzakonshëm. Por kënga që është e ndaluar ose e mohuar, për mua është diçka e pakuptimtë. Më dhemb sepse kjo këngë është për një figurë të shenjët që ka Kosova dhe konsiderohet një figurë e shenjtë dhe për Shqipërinë. Kjo këngë mori përmasa nga stadiumi”, tha artistja.
Për këtë situatë, komentoi dhe ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, i cili u shpreh se ky vendim nuk do t’i ndalojë tifozët që ta këndojnë, me muzikë apo pa muzikë në sfond.
“Kënga do këndohet nëpër shkolla, nëpër stadiume dhe kur këndojnë tifozët, nuk është askush që mund t’i ndalë. Kur këndohet në stadium, nuk ka asgjë që e ndalon, me muzikë apo pa muzikë në sfond”, tha Cana.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.