Shendet

Sa dhe si hanë mëngjes fëmijët në Shqipëri?

Një pjesë e mirë e fëmijëve shqiptarë nuk e konsumojnë gjithmonë vaktin e mëngjesit ndërkohë që nuk konsumojnë mjaftueshëm as fruta dhe perime.

Të dhënat e një studimi të fundit lidhur me zakonet e ushqyerjes dhe sjelljet e shëndetshme të fëmijët në Shqipëri tregojnë se rreth një e katërta e fëmijëve (23 për qind) nuk konsumojnë asnjëherë mëngjes gjatë ditëve të javës, gjë që është për t’u shqetësuar, si dhe 9 për qind e tyre nuk konsumojnë asnjëherë mëngjes gjatë fundjavës.

Anasjelltas, përafërsisht gjysma e fëmijëve (52 për qind) konsumojnë mëngjes gjatë gjithë ditëve të javës dhe më shumë se katër në pesë fëmijë (81 për qind) konsumojnë mëngjes në të dyja ditët e fundjavës.

Studime të shumta kanë treguar se konsumi i mëngjesit është i lidhur në mënyrë inverse me Treguesin e Masës Trupore dhe mbipeshën te fëmijët dhe adoleshentët.

Vakti i mëngjesit mendohet se zvogëlon vaktet e ndërmjetme dhe konsumin e ushqimeve të pasura me energji dhe me pak lëndë ushqyese.

Nga ana tjetër, zakonet e rregullta dhe të shëndetshme të mëngjesit në fëmijëri mund të ndiqen në moshën madhore.”, – thuhet në një raport të United Nations për këtë problematikë ndërsa sillen në vëmendje disa studime të fushës, si dhe një botim i Shëndetit Publik në Britani, pikërisht për këto zakone të të ushqyerit te fëmijët dhe adoleshentët.

Vlerësimi i konsumit të mëngjesit përfshin vlerësimin e këtij zakoni gjatë ditëve të javës dhe gjatë fundjavës.

Djemtë raportuan se konsumonin mëngjes gjatë ditëve të javës më shpesh se vajzat, konstatim ky që nuk u has për konsumin e mëngjesit gjatë fundjavës.

Për më tepër, fëmijët më të vegjël (11 vjeç) raportuar një frekuencë më të lartë të konsumit të mëngjesit gjatë ditëve të javës krahasuar me fëmijët 13-vjeçarë dhe veçanërisht me të rinjtë (15 vjeç) (frekuenca “pesë ditë” konsum: 61 për qind, 54 për qind dhe 42 për qind).

Vajzat, janë konsumatore më të mëdha të frutave dhe perimeve

Tashmë është i njohur fakti që konsumi i frutave dhe perimeve lidhet me një shëndet të mirë, si në terma afatshkurtër ashtu edhe afatgjatë, duke parandaluar sëmundjet kronike.

Sipas OBSH rekomandohet konsumi i pesë porcioneve me fruta dhe perime në ditë.

Vlerësimi i konsumit të ushqimit u bazua në frekuencën e vetë raportuar të ngrënies së frutave, perimeve, ëmbëlsirave dhe konsumit të pijeve alkoolike (pijeve të ëmbëlsuara artificialisht).

Lidhur me konsumin e frutave, në përgjithësi, pak më pak se gjysma e fëmijëve (47 përqind) raportuan se konsumonin fruta më shumë se një herë në ditë, ndërsa vetëm 1.2 përqind raportuan se nuk konsumonin asnjëherë fruta.

Ka evidencë të një ndryshimi domethënës midis djemve dhe vajzave në shpeshtësinë e konsumit të frutave.

Vajzat raportuan konsum më të shpeshtë të frutave sesa djemtë (më shumë se një herë në ditë: përkatësisht 52 për qind kundrejt 42 pë rqind).

Sipas grupmoshës, frekuenca e konsumit të frutave më shumë se një herë në ditë ishte më e lartë te fëmijët e moshës 13 vjeç (52 për qind) dhe më e ulët tek të rinjtë e moshës 15 vjeç (44 për qind).

Në lidhje me konsumin e perimeve, në përgjithësi, më pak se një e treta e fëmijëve (rreth 31 përqind) raportuan se konsumonin perime më shumë se një herë në ditë, ndërsa pak më shumë se 3 përqind e fëmijëve nuk konsumonin fare perime.

Në ngjashmëri me konsumin e frutave, vajzat raportuan se konsumonin më shpesh perime sesa djemtë (më shumë se një herë në ditë: përkatësisht 34 përqind kundrejt 29 përqind).

Ndërsa sipas grup-moshave, shpeshtësia e konsumit më shumë se një herë në ditë e perimeve ishte më e lartë te fëmijët e moshës 11 vjeç (rreth 34 përqind) dhe më e ulët tek të rinjtë e moshës 15 vjeç (29 përqind).


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë