Drejtësia

Ryshfet për të ndikuar te gjyqtarët, lirohet ish-Audituesi i KLSH dhe bashkëpunëtorja e tij

Gazeta Si – GJKKO ka liruar nga burgu ish-audituesin e KLSH-së, Bardhi Koçi dhe bashkëpunëtoren e tij, Pranvera Meshi, të akuzuar se kanë tentuar të ndikojnë në vendimet e gjykatësve, në të paktën tri raste, “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas vendimit, trupa gjykuese fillimisht vendosi bashkimin e dënimeve në një masë të vetme prej 2 vite e 6 muaj burgim për Koçin, e cila u ul me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke përfunduar në 1 vit e 8 muaj burgim. Por të pandehurit, në fund dënimi i është konvertuar me shërbim prove, me 3 vite e 4 muaj.

Po ashtu, GJKKO vendosi një dënim plotësues për Koçin, duke i hequr të drejtën për të ushtruar profesionin e avokatit për një periudhë 3-vjeçare.

Në të njëjtën çështje, gjykata shpalli fajtore edhe Meshin për të njëjtën vepër penale, duke e dënuar fillimisht me 1 vit burgim.

Pas uljes me 1/3 të dënimit, masa përfundimtare u caktua 8 muaj burg, nga e cila Meshi përfitoi, duke u liruar përfundimisht.

Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e masave të sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për të dy të pandehurit, si dhe kthimin e një telefoni celular Meshit, ndërsa materialet e tjera provuese mbeten pjesë e dosjes gjyqësore.

Bardhi Koçi, me profesion avokat, i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte i punësuar si Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit, ka kërkuar nga Pranvera Meshi, shumën prej 1500 eurosh dhe ka marrë prej saj paraprakisht 1000 një mijë euro, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimmarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj.

Koçi ka kërkuar nga një tjetër shtetas 1300 euro, me qëllim përshpejtimin e seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj shtetases N.M., e arrestuar për veprën penale, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Gjithashtu, ai ka marrë përfitime të parregullta nga shtetasi, R.G., me qëllim ushtrimin e ndikimit tek ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore.

Ky ndikim kishte të bënte me nxjerrjen e aktit të ekspertimit kimik për një sasi lënde narkotike, e cila i ishte sekuestruar shtetasit B.G, i dyshuar për veprën penale, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë