Drejtësia

Ryshfet për banesat sociale në Durrës, SPAK çon për gjykim 8 ‘punonjës të shtetit’

Gazeta Si- SPAK ka çuar për gjykim grupin e 8 personave që kishin ngritur skemën e korrupsionit me banesat sociale në zonën e Spitallës në Durrës.

Në total janë marrë 8 të pandehur dhe tashmë dosja i kalon GJKKO, e cila duhet të caktojë në një seancë paraprake nëse duhet të kalojë ose jo për gjykim.

5 personat që ngritën skemën janë të pandehurit: Gëzim Sylaj, Vasil Karasaliu, Viola Mema, Behare Luzi, Enxhi Çelaj, të cilët, prezantoheshin si punonjës me funksione drejtuese në administratën shtetërore (drejtorë në Drejtorinë e Përgjithshme), dhe merrnin nga 5 deri në 15 mijë euro nga personat e interesuar për banesa sociale.

Pasi paguanin ryshfet, personat dorëzonin dokumentacionin për procedurat standarde për përfitimin e banesës sociale.

Më pas, personave të interesuar do t’u dërgohej një SMS konfirmimi nga ana e Bashkisë Durrës, periudhë kur sipas tyre do bëhej shpallja e fituesve dhe në banesë do futeshin pas disa muajsh.

Pas këtij momenti, përfituesi i banesës sociale detyrohej që të paguante një qira minimale për disa vite, shumë e cila do të vlerësohej në bazë të sipërfaqes për m2 që do përfitonte.

Sylaj, Karasaliu, Mema, Luzi dhe Çelaj, akuzohen për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Ndërkohë, tre të pandehurit e tjerë Gazmend Panxha, Shyqyri Dema dhe Sokol Sylaj, akuzohen për dhënie ryshfeti për të përfituar banesa sociale.

SPAK sqaron se të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mes datave 01.02.2023-01.03.2023 kanë kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt respektivisht në 4 episode, shuma monetare që variojnë nga 5 000 deri në 10 000 euro.

Ndërsa, të pandehurit e tjerë, Gazmend Panxha, Shyqyri Dema dhe Tahir Sylaj, provohet se u kanë premtuar dhe dhënë drejtpërdrejt respektivisht të pandehurve; Gezim Sylaj, Vasil Karasliu, Viola Mema, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj, shumat monetare (në vlerën mbi 50.000 lekë), të cilët u kanë premtuar ose u kanë siguruar atyre se janë në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike, për të përftuar banesa sociale.

Sipas akt-akuzës, një bashkëpunëtor i emisionit investigativ, dokumentoi me prova skemën, ku një prej të pandehurve i premtoi përfitimin e një banese sociale kundrejt shumës prej 15,000 euro.

Masat e sigurisë të caktuara për këtë çështje

Arrest burg:

1-Gëzim Sylaj  – i arrestuar

2-Vasil Karasaliu – i arrestuar

3-Viola Mema – Në kërkim

4-Behare Luzi – i arrestuar

5-Enxhi Çelaj – i arrestuar

Detyrim paraqitje:

1-Gazmend Panxha -urdherarresti u ekzekutua

2-Shyqyri Dema  – Në kërkim

3-Sokol Sylaj  – urdherarresti u ekzekutua


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë