Gazeta Si – Një operacion i inspektoriatit policor të Kosovës është finalizuar me arrestimin e 46 punonjësve të policisë së pikave kufitare me Shqipërinë, asaj të Qafë Morinës dhe Qafë Prushit.
Bashkë me 46 oficerët e policisë të akuzuar janë dhe 2 doganierë. Aksioni është udhëhequr nga Inspektorati Policor i Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale pas hetimeve disa mujore që kanë të bëjnë me veprimet e paligjshme në kufirin Kosovë-Shqipëri.
Sipas autoriteteve atje hetimi për zyrtarët e pikave kufitarë ka nisur një vit më parë për përfshirjen e policëve dhe doganierëve në aktivitete të kundërligjshme.
Provat e mbledhura kanë treguar për implikimin në abuzime të një numri të zyrtarëve policorë, për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Lidhur me këtë aksion, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ku ndër të tjera ka thënë se Policia e Kosovës nuk do të jetë vendi ku thyhet ligji e bëhet korrupsioni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




