Drejtësia

Morën ryshfet 330 mijë lekë për një tender, burg për 2 zyrtaret e Ministrisë së Shëndetësisë

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka vendosur “arrest me burg” për Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duron dhe zyrtaren tjetër, Laura Shteto, të akuzura për korrupsion.

Sipas SPAK që ka zbardhur skemën e plotë të korrupsionit, Duro ka marrë një ryshfet në vlerën e 330 mijë lekëve të dhëna nga administratori i një kompanie, në mënyrë që të ndërhynte për t’i dhënë kësaj firme në mënyrë të paligjshme një tender.

SPAK njoftoi se paratë i janë dhënë zyrtares së lartë nga Laura Sheto, specialiste e Nivelit të Lartë në Agjensinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, gjithashtu e arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, për të favorizuar një kompani në një tender.

Shuma e lekëve u gjet në zyrën e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, fill pas arrestimit të saj nga policia.

Tenderi, për të cilin dyshohet se ka marrë ryshfet Joana Duro ishte per “Supervizimi për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”, Loti i Parë.

Fondi limit i këtij tenderi mësohet të ketë qenë 51 milionë Lekë, teksa fituese është shpallur një kompani e cila ka ofruar 40 milionë Lekë.

Dy zyrtaret, Joana Duro dhe Laura Sheto akuzohen nga SPAK për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë