Drejtësia

Ryshfet 2.4 mln lekë, SPAK çon në gjyq 2 të akuzuar për ndërtim pa leje. Mes tyre edhe një polic bashkiak

Gazeta Si – Pas përfundimit të hetimeve SPAK ka çuar në gjyq 2 të akuzuar për korrupsion për një ndërtim pa leje.

Sipas njoftimit Besmir Cani, me detyrë polic bashkiak në Tiranë ka marrë 2.400.000 lekë ryshfet nga Ahmet Mashollari.

Cani, me detyrë polic bashkiak në Bashkinë Tiranë, akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Ndërsa Mashollari, akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nga hetimi paraprak, ka rezultuar se Cani, në cilësinë e punonjësit të policisë bashkiake, ka marrë një shumë prej 2 milionë e 400 mijë lekësh nga A.M, në këmbim të moskryerjes së detyrimeve ligjore ndaj një objekti të ndërtuar pa leje.

Veprimet e munguara nga ana e Canit përfshijnë: mosraportimin e ndërtimit të paligjshëm; mosvendosjen e gjobës përkatëse; shmangien nga prishja e objektit.

SPAK ka provuar se shuma e parave është dhënë nga Mashollari me qëllim që objekti i ndërtuar pa leje të mos prekej nga autoritetet. Dosja tashmë është në duart e Gjykatës së Posaçme, e cila pritet të shqyrtojë çështjen në seancat gjyqësore të ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë