Drejtësia

Ryshfet 1 mijë euro për të ndikuar te gjyqtarët, SPAK çon në gjyq avokatin Bardhi Koçi

Gazeta Si – SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyqin dosjen në ngarkim të avokatit Bardhi Koçi, i cili merrte para për të ndërhyrë te gjyqtarë duke ndikuar.

Bashkë me të është dërguar për gjykim edhe qytetarja Pranvera Meshi, e cila kishte paguar avokatin me 1 mijë euro ryshfet që ai të ndikonte të një gjyqtar i Tiranës për një çështje ndaj saj.

Sipas SPAK, ndaj Koçit janë provuar tre episode të kërkimit të ryshfetit, me qëllim ndërhyrjen në procese gjyqësore. Në kohën e kryerjes së veprave penale, ai mbante edhe funksionin e zyrtarit pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Një nga rastet përfshin qytetaren Pranvera Meshi, e cila i dha 1000 euro avokatit për të ndikuar në një çështje gjyqësore për falsifikim dokumentesh në Gjykatën e Tiranës.

Në dy rastet e tjera, Koçi akuzohet se ka marrë shuma prej 1300 eurosh dhe përfitime të tjera për të ndikuar te gjyqtarë dhe ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore, në çështje që lidhen me drejtim të parregullt mjeti dhe sekuestrim të lëndëve narkotike.

Avokati Bardhi Koçi ka qenë fillimisht në “arrest shtëpie”, ndërsa së fundmi Gjykata e Lartë ka zbutur masën e sigurisë në “detyrim paraqitje”. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë