Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama u takua këtë të mërkurë në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Rutte vlerësoi kontributin e vendit tonë në Aleancë dhe theksoi se Shqipëria këtë vit do të arrijë nivelin 2% të shpenzimeve për mbrojtjen
“Është një nder i madh të kem këtu mikun tim të ngushtë, Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë. Shqipëria është një aleat i fortë. Shqipëria këtë vit do të arrijë nivelin 2% të shpenzimeve për mbrojtjen, që është një angazhim i madh.
Shqipëria po zhvillon industrinë e saj të mbrojtjes, përfshirë edhe përmes ndërmarrjes shtetërore, çka është e rëndësishme sepse na duhet një bazë industriale e mbrojtjes më e fortë në të gjithë NATO-n. Ju po ndihmoni shumë me Ukrainën. Për shembull, përmes komandës sonë në Wiesbaden, ku kemi një delegacion shqiptar, por edhe përmes trajnimit gjuhësor për pilotët e avionëve luftarakë dhe për teknikët”, u shpreh Rutte.
Ai nënvizoi rëndësinë e investimeve që po bën Shqipëria në industrinë e mbrojtjes, si dhe rolin e drejtpërdrejtë të Shqipërisë në ndihmë të Ukrainës.
“Ju po bëni shumë sa i përket ndihmës për Ukrainën. Dhe jashtë Shqipërisë, jeni pjesë e forcave tokësore në Letoni dhe Bullgari. Jeni aktivë në Kosovë përmes KFOR-it. Pra, po jepni një kontribut shumë më të madh se sa madhësia juaj. Dhe jeni mjaft i gjatë. Por megjithatë, Shqipëria nuk është aleati më i madh, por po bën shumë. Dhe prandaj, unë dua sinqerisht t’ju falënderoj që jeni një aleat kaq i fortë. Ne e dimë që NATO mund të mbështetet gjithmonë te Shqipëria. Dhe ju e dini që Shqipëria mund të mbështetet gjithmonë te NATO. Kështu që edhe njëherë, faleminderit që erdhët për vizitë. Faleminderit që jeni një mik kaq i ngushtë personal. Dhe faleminderit për gjithçka që po bëni për NATO-n”, theksoi Rutte.
Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama nënvizoi se Shqipëria është e vendosur të kontribuojë edhe më shumë në sigurinë e përbashkët euroatlantike.
“Është e kuptueshme që gjithmonë është një kënaqësi, jo vetëm për shkak të miqësisë sonë të gjatë, por edhe për shkak të faktit të thjeshtë që gjithmonë ka diçka për të mësuar nga ju. Dhe jemi këtu për të rikonfirmuar gjithçka që thatë dhe më shumë. Ne duam të bëjmë më shumë. Dhe tani po hedhim bazat për rilindjen e industrisë sonë ushtarake”, tha Rama.
Rama foli edhe për një nga projektet strategjike që vendi synon të realizojë në bashkëpunim me NATO-n, ndërtimin e një porti të ri ushtarak në Porto Romano.
“Jemi shumë të interesuar të diskutojmë me ju për hapat e mëtejshëm që mund të ndërmarrim për të bërë të mundur ndërtimin e portit të ri ushtarak në Porto Romano. Dhe sigurisht, jemi këtu edhe për të folur bashkë se si mund të aksesojmë programin ‘Safe’ të Bashkimit Europian, i cili, në aspektin e sigurisë, shkon përtej kufijve të vendeve anëtare të BE-së dhe mund të jetë i dobishëm edhe për vendet e NATO-s në Europë”, vijoi Rama.
Rutte ishte në Tiranë në muajin maj, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që mblodhi bashkë liderët evropianë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



