Bota

Rutte: Diplomacia, mënyra e vetme për të zgjidhur çështjen e Groenlandës

Nga Gazeta ‘Si’– Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se mënyra e vetme për zgjidhjen e krizës rreth Groenlandës është “diplomacia e matur”, duke shtuar se po punon “ në prapaskenë ” për këtë çështje.

Kreu i aleancës ushtarake perëndimore, i cili po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, refuzoi të komentojë lidhur me synimet e presidentit amerikan, Donald Trump, për ta marrë nën kontroll këtë ishull, duke theksuar se diplomacia është më e rëndësishme sesa deklaratat publike.

“Ju siguroj se për këtë çështje po punoj në prapaskenë”, tha shefi i NATO-s gjatë një paneli në Davos.

Ai përsëriti se nuk do të prononcohet publikisht, pasi, sipas tij, “e vetmja mënyrë për ta zgjidhur krizën është diplomacia e menduar mirë”.

Rutte është udhëheqësi i vetëm që deri më tani ka konfirmuar se do të takohet me Trumpin në margjinat e forumit në Davos të Zvicrës.

Duke folur në panel, Rutte theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj aleancës, por shtoi se Amerikës i duhet “një Evropë e sigurt dhe një Arktik i sigurt”.

Ai theksoi se, sa i përket Arktikut, pajtohet me presidentin amerikan.

“Duhet ta mbrojmë Arktikun nga ndikimi rus dhe kinez”, tha Mark Rutte.

Ai po ashtu kërkoi që Europa dhe SHBA-ja që mospajtimet për Groenlandën t’i shpërqendrojnë nga lufta në Ukrainë, që Rusia e nisi afër katër vjet më parë.

“Përqendrimi në Ukrainë duhet të jetë prioriteti ynë kryesor, është thelbësor për sigurinë evropiane dhe të SHBA-së”, u shpreh ai.

Trump më herët ka argumentuar se SHBA-së i duhet Groenlanda për të garantuar sigurinë kombëtare amerikane kundër rivalëve të Uashingtonit, Rusisë dhe Kinës.

Groenlanda, territor i Danimarkës me rreth 57.000 banorë, nuk është anëtare e pavarur e NATO-s, por mbulohet nga anëtarësimi i Danimarkës në këtë aleancë ushtarake. Një përpjekje për marrjen nën kontroll të Groenlandës do të përbënte rastin e parë në historinë e NATO-s që një aleat të cenojë territorin e një shteti tjetër anëtar të aleancës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë