Këshilli i qytetit të Mariupolit tha se forcat ruse kanë bombarduar një shkollë ku 400 persona po strehoheshin. Sulmi u tha se ka ndodhur të shtunën.
Në një postim në Telegram, këshilli i qytetit tha se ndërtesa e shkollës është shkatërruar dhe se banorët janë nën rrënoja. Sipas zyrtarëve, gra, fëmijë dhe të moshuar kanë qenë duke u strehuar në këtë shkollë.
Për shkak të vështirësive në komunikim me qytetin e rrethuar të Mariupolit, ky lajm nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
Besohet se në Mariupol janë të bllokuar mbi 300,000 persona. Ky qytet ka qenë nën sulme të vazhdueshme të forcave ruse, që kanë shkaktuar dëme të mëdha.
Rusia është fajësuar për sulme ndaj materniteteve, spitaleve, teatrove dhe objekteve civile. Por, Rusia vazhdimisht ka mohuar se shënjestron caqe civile.
Zelensky: Sulmet në Mariupol akte terrori
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sulmet ruse ndaj qytetit të rrethuar të Mariupolit janë “akte terrori” që do të “mbahen mend për shekuj me radhë”.
Përmes një video-mesazhi të postuar në orët e para të së dielës, presidenti ukrainas tha se Mariupoli do të mbahet mend në histori si shembull i krimeve të luftës.
“T’ia bësh këtë një qyteti paqësor, atë që pushtuesit e bënë, është terror që do të mbahet mend për shekuj me radhë”, tha ai.
Ai u tha ukrainasve se negociatat me rusët nuk janë “as të thjeshta as të këndshme, por janë të nevojshme”.
Në adresimin e tij drejtuar kombit, presidenti ukrainas tha se të shtunën ka biseduar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, lidhur me kursin e bisedimeve me Rusinë.
“Ukraina gjithmonë ka kërkuar zgjidhje paqësore. Për më tepër, ne jemi të interesuar për paqe tani”, tha ai.
Qyteti-port i Mariupolit është rrethuar nga trupat ruse dhe banorët e mbetur të bllokuar kanë mungesa të mëdha të ujit dhe ushqimit, teksa janë përballur me bombardime të vazhdueshme. Të shtunën u raportua se trupat ruse kanë depërtuar brenda qytetit dhe se pati luftime edhe në qendër të këtij qyteti.
Për shkak të luftimeve, autoritetet kanë thënë se janë penguar përpjekjet për të kërkuar për të mbijetuar në teatrin e qytetit, që u bombardua më herët gjatë javës. Besohet se në këtë ndërtesë – që nga civilët përdorej si strehimore – në momentin e sulmit kanë qenë mbi 1,000 persona.
Po ashtu, autoritetet lokale në Mariupol kanë thënë se disa mijëra banorë të këtij qyteti janë dëbuar në territorin rus.
OKB: Të paktën 847 civilë të vrarë në Ukrainë
Të paktën 847 civilë, përfshirë 64 fëmijë, u vranë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt e deri më 18 mars, tha Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR).
Po ashtu, sipas OHCHR-së 1,399 civilë të tjerë, duke përfshirë 78 fëmijë, u plagosën, kryesisht nga bombardimet dhe sulmet ajrore.
Shumica e viktimave u shkaktuan nga armët shpërthyese, të tilla si granatimet nga artileria e rëndë dhe sistemet e raketave me shumë tyta, si dhe nga raketat dhe sulmet ajrore, tha OHCHR-ja.
Besohet se shifrat mund të jenë edhe më të larta, sepse OHCHR nuk ka qenë ende në gjendje të verifikojë raportet për viktimat nga disa qytete të goditura rëndë, thuhet në deklaratë. /REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.