Bota

Rusia sulmon sërish me raketa Kievin për herë të tretë në 5 ditët e fundit, 7 të plagosur

Gazeta Si – Vitali Klitschko, kryebashkiak i kryeqytetit ukrainas të Kievit, tha të hënën në mëngjes se një sulm me raketa ruse në qytet plagosi shtatë persona dhe dëmtoi një ndërtesë trekatëshe të përdorur për aktivitete sportive dhe dy ndërtesa banimi.

Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko, tha se sulmi u krye me dy raketa të lëshuara nga Krimea, gadishulli ukrainas në Detin e Zi i pushtuar ilegalisht nga Rusia në vitin 2014.

Dëmi u shkaktua nga fragmentet e raketave, të cilat u kapën nga mbrojtja kundërajrore e qytetit.

Ky është sulmi i tretë rus në Kiev në pesë ditë: Rusia ka thënë se është në hakmarrje për shtimin e sulmeve ukrainase në territorin rus.

Më herët, Vitaliy Kim, kryetar i administratës ushtarake rajonale të Mykolayiv, raportoi se një dron i prodhuar në Iran, Shahed, shkaktoi zjarr në objektin energjetik në këtë rajon.

Një sulm rus me dronë në qytetin e portit të Detit të Zi, Odesa, shkaktoi ndërprerje të rrymës.

Më 23 mars, zyrtarët në Kiev raportuan se më shumë se 1 milion civilë kanë mbetur pa energji.

Volodymyr Kudrytskiy, kryetar i bordit të Ukrenerho, tha më 23 mars se vendi e ka rritur importin e rrymës nga Evropa, për të ndihmuar në kompensimin e humbjeve.

“Në shumë rajone, megjithatë, ka dëme të mëdha në infrastrukturën energjetike. Kjo është shkaktuar nga shkalla e lartë se sulmeve”, tha ai.

Në rajonin e Harkivit, rreth 200.000 njerëz kanë mbetur pa rrymë, sipas kryetarit të administratës ushtarake rajonale.

Në dy ditët e fundit, autoritetet ruse janë përpjekur pak a shumë haptazi t’ia atribuojnë Ukrainës përgjegjësinë për sulmin e armatosur shumë të rëndë të së premtes në Moskë, të pretenduar nga ISIS.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë