Ne rrjet

Rusia i trembet bazës së NATO-s në Shqipëri

Edhe pse zhurma e avionëve të NATO-s që dëgjoheshin nga larg tek bombardonin bazat serbe në Kosovë, kanë mbetur tanimë në harresë, avionët e aleancës ka gjasa të oshtijnë sërish në qiellin shqiptar. Tanimë vendi ynë mund të bëhet shtëpia e bazës së vetme ajrore të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, i konsideruar si fortesa që mbron Europën nga Rusia dhe Kina. Por do të thotë ndërtimi i kësaj baze se Shqipëria është përfshirë dashje pa dashje në fushëbetejën mes Perëndimit dhe Rusisë? Sipas Moskës po.

Lajmi se NATO-s do të ndërtojë bazën e parë ajrore në Kuçovë, duke se ka ardhur si një kambana alarmi për interesat ushtarake dhe politike të Rusisë në rajon. Kanali më i madh informativ i Kremlinit, agjencia e lajmeve “Sputnik” ka intervistuar një studiues rus dhe një politikan serb, për të kuptuar, sipas gazetarëve rusë, arsyen e vërtetë pse NATO vendosi të ndërtojë një bazë në Shqipëri. Sergej Ermakov, studiuesi kryesor i Institutit Rus për Studime Strategjike shprehet se  investimi i 50 milionë euro në Kuçovë erdhi si një befasi e madhe për të dhe për analistët e perëndimorë. Sipas tij, vendimi i NATO-s është një lëvizje strategjike, pasi Ballkani shihet si një rajon kyç për aleancën ushtarake për shkak të pozicionit të favorshëm gjeografik.

"Gjatë samitit të fundit të NATO-s shtetet anëtare ranë dakord të rritin praninë ushtarake në kufijtë  jugorë. Ballkani është shumë i rëndësishëm për përmbushjen e kësaj marrëveshjeje, pasi siguron qasje të drejtpërdrejtë në të gjitha vendet e rajoneve të Mesdheut dhe Detit të Zi. Në ;duart e gabuara’, Ballkani, mund të përbëjë një kërcënim për aleancën, "shprehet Ermakov. Sipas artikullit të publikuar nga agjencia ruse, Ermakov deklaron ndër të tjera se ndërtimi i bazës në vendin tonë mund të ketë ardhur si pasojë e presionit të ushtruar nga aleanca ushtarake ndaj qeverisë shqiptare.

"NATO ushtron presion mbi ato shtete të Ballkanit që ende nuk kanë mundësi të zhvillojnë infrastrukturën e tyre të mbrojtjes në përputhje me standardet dhe modelin e sigurisë të NATO-s. Vendet skandinave po përjetojnë gjithashtu këtë presion", shprehet Ermakov.

Artikulli i “Sputnik”, i cili është pothuajse gjithnjë në linjë me qëndrimet zyrtare të Kremlinit, ngre shqetësimin se baza e NATO-s në Shqipëri ka ardhur si kundërpërgjigjje ndaj rritjes së ndikimit rus dhe “tentakulave”të Turqisë në rajon.

Por “Sputnik” ndalet me kaq, pasi interviston me tej edhe ish-drejtorin e Zyrës për Kosovën dhe Metohinë, Dusan Prorokoviç, i cili deklaron se shanset që në Shqipëri të ndërtohet një bazë e NATO-s, janë zero. Politikani serb shprehet se mes kërkesave të Presidentit Donald Trump për rritjen e shpenzimeve ushtarake ,aleanca nuk mund t’ia lejojë vetes të shpenzojë 50 milionë euro për ndërtimin e një baze tjetër.

"Në fakt nuk shoh asnjë arsye të vërtetë pse NATO do të konsideronte ndërtimin e një baze në Shqipëri apo në ndonjë vend tjetër Ballkan. Amerikanët kanë zaptuar tashmë të gjitha pikat e interesit në rajon ", thotë ai.

“Sputinik” kujton gjithashtu se përveç kampit Bondsteel në Kosovë, NATO ka katër baza në Bullgari, bazën ajrore Deveselu në Rumani, Aviano në Itali, Ramstein në Gjermani dhe İncirlikun në Turqi. Nga pikëpamja e agjencisë ruse, NATO ka një bollëk bazash në rajon dhe nuk ka nevojë për një të re në Shqipëri. Mendimit të gazetarëve rus i “bashkohet” edhe Prorokoviç, i cili shprehet se nëse NATO do të ndërtojë diçka në Shqipëri, nuk do të jetë një bazë ushtarake në shkallë të gjerë. Duke komentuar pranimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë në NATO, politikani serb akuzon aleancën transatlantike se po përpiqet të "kap territoret" strategjike, në mënyrë që në rast konflikti, SHBA-të dhe aleatët europianë nuk do të kenë probleme kur të vendosin trupat në rajon. Artikulli i “Sputnik”, i cili është pothuajse gjithnjë në linjë me qëndrimet zyrtare të Kremlinit, ngre shqetësimin se baza e NATO-s në Shqipëri ka ardhur si kundërpërgjigje ndaj rritjes së ndikimit rus dhe “tentakulave”të Turqisë në rajon.

Bazat ruse në Ballkan

Nuk kanë qenë të paktë analistët shqiptarë e të huaj që kanë parë bazën e NATO-s në Kuçovë si një kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë ndaj bazës gjigante ruse në Nish.  Një vit më parë, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Hoyt Brian Yee, e quajti bazën ushtarake ruse , një qendër të posaçme për spiunazhin dhe aktivitete të tjera të dëmshme. Ndërkohë, në tetor, Rusia i dhuroi Serbisë gjashtë avionë luftarakë “MiG-29”, të cilët u vendosën në bazën ajrore të Batajnicës, një zonat e dëmtuara rëndë nga sulmet e NATO-s gjatë konfliktit në Kosovë.

Vendosja e bazës ushtarake ruse në Nish u pa si një faktor që do të forconte sigurinë e Serbisë dhe Rusisë, veçanërisht nëse sistemet e reja ruse të mbrojtjes ajrore vendosen edhe në territorin serb. Baza ushtarake ka nxitur gjithashtu edhe rritjen ekonomike të Serbisë, pasi Beogradi dhe Moska forcuan edhe më tej bashkëpunimin ekonomik. Serbia,nuk mbetet vetëm një aleat i Moskës, por gjithashtu një bazë për aktivitete më të gjera në të gjithë Ballkanin, nga mbledhja e inteligjencës deri tek përhapja e ndikimit rus.

Kundërpërgjigjja e “Sputinik” ndaj ndërtimit të një baze ajore në Shqipëri, vjen sidomos për shkak se Ballkani është parë gjerësisht si një terren testimi në Luftën e re të Ftohtë me Moskën. Edhe pse NATO ka ndenjur deri tani në hije, Perëndimi është angazhuar vazhdimisht në përpjekjet për të përhapur ndikimin e tij në Ballkan dhe për të dobësuar pozitën e Rusisë. Tani që aleanca ushtarake vendosi të shtojë praninë e saj në rajon, Moska ndihet edhe më e rrezikuar.

Baza amerikane në Ballkan

Një nga bazat më të mëdha në Ballkan është kampi Bondsteel në Kosovë, i ngritur vite më parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kampi kryesor SHBA-së në rajon gjendet pranë Uroševacit në pjesën lindore të Kosovës. Baza është emëruar pasi ushtari amerikan, James L. Bondsteel, mori medaljen e nderit të luftës. Ky është objekti më i madh ushtarak amerikan në Europë, një strukturë kyçe për ushtrimin e kontrollit mbi Adriatikun, Mesdheun dhe Detin e Zi, si dhe rrugët për në Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore dhe Kaukazin. Ndërtimi i bazës filloi menjëherë pas bombardimeve 78-ditore të NATO-s në ish Jugosllavi gjatë Luftës së Kosovës. Baza zë një hapësire prej 3.86 km2 dhe përfshin 300 objekte të ndryshme, si pista, hangarë, pajisje për ngritjen e helikopterëve, tanke, dyqane, palestra, biblioteka, dy kisha dhe një spital. Perimetri i jashtëm i bazës është rreth 14 kilometra i gjatë dhe është i rrethuar nga një mur 2.5 metra i lartë. Që nga fundi i armiqësive formale në Ballkan në vitin 1999, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë arritur të zgjerojnë në mënyrë drastike praninë e NATO-s në rajon, pavarësisht konkurrencës gjeopolitike dhe përçarjet etnike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë